8 VJETORI I THEMELIMIT TË QKSS-SË

17/04/2016

8 VJETORI I THEMELIMIT TË QKSS-SË

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), sot më 17 Prill 2016 feston tetë vjetorin e themelimit të saj. Në këtë përvjetor, ekipi i QKSS falënderon të gjithë partnerët, donatorët, bashkëpunëtorët, miqtë, mediat dhe publikun e gjerë për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm të cilat i shërbyen kultivimit të punës sonë profesionale e hulumtuese.

Një historik i shkurtër për ne:

QKSS u themelua më 17 Prill 2008. Motivi për themelimin e saj i paraprinin rrethanat e krijuar pas Shpalljes së  Pavarësisë së Kosovës dhe nevojës së krijimit të një qendre hulumtuese profesionale e cila do të gruponte ekspertët dhe hulumtuesit më të dalluar të kësaj fushe në Kosovë. Tutje, objektivat e themelimit të QKSS ishin hulumtimi, monitorimi dhe mbikëqyrja e konsolidimit të institucioneve e politikave të sigurisë në Kosovë, duke shërbyer si një platformë alternative profesionale.

Trajektorja e zhvillimit të QKSS ishte e shpejtë, e sigurt dhe e vetëqëndrueshme. Që nga periudha fillestare e themelimit të saj,  ajo arriti aktivisht të paraqitet si një nga organizatat e vetme të specializuara në fushën e sigurisë, duke i kontribuar kësisoj  proceseve të ndryshme shtet-ndërtuese siç janë:, përpilimi i hulumtimeve specifike, hartimi i legjislacionit, kontributi në zhvillimin e strategjive e politikave si dhe ngritjen e kapaciteteve. QKSS arriti shumë shpejt të bëhet akter kyçe në  formësimin e  opinionit publik duke kontribuar në demokratizimin e sektorit të sigurisë, llogaridhënies e transparencës. Hulumtimet e QKSS i shërbejnë në masë të madhe nevojave jo vetëm të politik-bërësve vendor e ndërkombëtar por edhe studentëve vendor e ndërkombëtar.

 

Shtrirja e rolit të saj në Ballkanit Perëndimor

Krahas rolit të saj në nivel nacional,  QKSS ka zhvilluar një rol të rëndësishëm në fuqizimin e mbikëqyrjes së sektorit të sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Këtë gjë ajo ka arritur ta bëjë nëpërmjet pjesëmarrjes së vazhdueshme në platforma e konsorciume të ndryshme me përbërje të organizatave të ndryshme homologe nga Ballkani Perëndimor. Këtu vlen të përmendet konsorciumi i titulluar “Zhvillimi i kapaciteteve të shoqërisë civile në vlerësimin dhe mbikëqyrjen e reformimit të sektorit të sigurisë në Ballkanin Perëndimor” i cili vazhdoi së shërbyeri si urë lidhëse për ndërtimin e bashkëpunimeve të ndryshme bilaterale e multilaterale mes QKSS dhe organizatave partnere të saj në rajon. QKSS ishte bashkë-themeluese e projektit rajonal trelateral i titulluar: “Forumi Hulumtues i Sigurisë: Prishtinë-Beograd-Tiranë” që kishte për qëllim zhvillimin e marrëdhënieve shqiptaro-serbe në përgjithësi, dhe marrëdhënieve Kosovë-Serbi në veçanti.

 

Rrjetëzimi hulumtues e akademik në nivelin evropian

QKSS që nga Nëntori 2011 është anëtare me të drejta të plota e rrjetit të organizatave jo-qeveritare si dhe të instituteve hulumtuese të cilat avokojnë në zhvillimin e politikave të paqe-ndërtimit dhe sigurisë të Bashkimit Evropian (BE) e quajtur Zyra Ndërlidhëse Evropiane për Paqe-Ndërtim (EPLO). Gjithashtu, nga fundi i vitit 2015, QKSS është pjesë e dy konsorciumeve hulumtuese të përbëra nga institute hulumtuese e universitete të shquara të BE-së dhe më gjerë, të mbështetura nga skema e granteve prestigjioze Horizon2020.

 

Rrjetëzimi hulumtues e akademik në nivel botëror

Nga fillimi i vitit 2015, nëpërmjet punës së shquar hulumtuese të saj, QKSS tashmë është shndërruar në një ndër organizatat kyçe globale në funksion të parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm dhe deradikalizmit. Si rezultat i kësaj, QKSS në mënyrë të vazhdueshme tashmë është duke u konsideruar si partner kredibil nga koalicione të ndryshme të organizatave në botë të cilat merren me trajtimin e këtij fenomeni. Publikimi i raportit  të titullar “Shkaqet dhe pasojat e pjesëmarrjes së qytetarëve të Kosovës si luftëtarë të huaj në Siri dhe Irak” ka kurorëzuar nivelin tonë profesional e hulumtues e cila vazhdon të vlerësohet në qarqe më të avancuara politike e akademike.  QKSS në mënyrë të vazhdueshme ftohet nëpër samite dhe konferenca kryesore të organizuara në botë të cilat trajtojnë këtë fenomen. QKSS ishte organizata e vetme nga Ballkani Perëndimor e cila ishte e ftuar në Samitin e Obamas për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm i cili u mbajt në shtator 2015, në Nju Jork.

 

Aktivitetet e QKSS gjatë këtyre 8 viteve

QKSS ka botuar mbi  70 publikime që përfshijnë raporte, dokumente të politikave, libra dhe edicione  të veçanta rreth sigurisë në nivel lokal, rajonal dhe ndërkombëtar. QKSS ka organizuar mbi 150 konferenca/seminare, ka marr pjesë në mbi 250 konferenca/punëtori/diskutime rajonale e ndërkombëtare në sferën e sigurisë.

 

Ekipi i QKSS-së ju falemnderon përzemërsisht.