14/05/2026
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë
Financuar nga Bashkimi Evropian
Dr Adelina Hasani and Jon Limaj
Ideologjia gjinore konsiderohet si një nga shtyllat që kontribuon në rritjen e ekstremizmit të krahut të djathtë. Ekstremizmi i krahut të djathtë, një shqetësim në rritje anembanë Evropës, karakterizohet nga autoritarizmi, ideologjitë anti-demokratike dhe nacionalizmi përjashtues. Kjo lëvizje minon demokracinë, promovon urrejtje ndaj të huajve dhe targeton gratë, individët e komunitetit LGBTIQ+ dhe grupet minoritare. Në Kosovë, përpjekjet për të adresuar ekstremizmin janë fokusuar kryesisht në ekstremizmin fetar, duke e lënë ekstremizmin e krahut të djathtë relativisht të paeksploruar. Megjithatë, ndërsa tendenca të reja po shfaqen, është gjithnjë e më e rëndësishme që ky fenomen të shqyrtohet brenda kontekstit unik social dhe historik të Kosovës. Barazia gjinore është bërë temë qendrore në diskursin ideologjik të krahut të së djathtës ekstreme. Aktivistët e barazisë gjinore, gratë dhe studiuesit që punojnë në këtë fushë janë shpesh objektiva të sulmeve dhe portretizohen si kërcënim për kombin. Siç shpjegon Butler, çështja gjinore paraqitet jo vetëm si një kërcënim për fëmijët, sigurinë kombëtare, martesën heteroseksuale dhe familjen normative, por edhe si pjesë e një komploti të pretenduar nga elitat për t’u imponuar vlerat e tyre kulturore ‘njerëzve të thjeshtë’. Për më tepër, targetimi i pakicave seksuale dhe gjinore si ‘të rrezikshme’ për shoqërinë, me qëllim për t’u mohuar të drejtat dhe mbrojtjet themelore, e lidh ideologjitë anti-gjinore me mendimin fashist. Kjo thekson më tej lidhjen e ngushtë midis ideologjisë gjinore dhe nacionalizmit etnik.
Në vitet e fundit, janë rritur shqetësimet lidhur me potencialin për ekstremizëm të dhunshëm të krahut të djathtë ekstrem në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, Bosnjë dhe Hercegovinën (BeH), Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë. Rajoni historikisht është perceptuar si politikisht i paqëndrueshëm, me një trashëgimi dhune të rrënjosur në ideologjitë dhe veprimet politike të krahut të djathtë ekstrem.2 Përgjatë viteve, ideologjitë gjinore kanë shënuar rritje në vendet e Ballkanit Perëndimor, gjë që ka qenë gjithashtu ngushtësisht e lidhur me nacionalizmin etnik. Këto lëvizje e portretizojnë ‘ideologjinë gjinore’ si një kërcënim ekzistencial për vlerat tradicionale, identitetin kombëtar dhe stabilitetin social, dhe e përdorin këtë për të nxitur një agjendë më të gjerë që kufizon të drejtat e njeriut dhe dobëson normat demokratike. Rritja e lëvizjeve anti-gjinore në Ballkanin Perëndimor nuk është një fenomen i izoluar; ato janë pjesë e një rrjeti më të gjerë transnacional që rreshtohet në mënyrë strategjike me aktorët politikë të së djathtës ekstreme, institucionet fetare konservatore dhe regjimet populiste anembanë Evropës. Ajo që është e përbashkët për të gjitha këto lëvizje anti-gjinore në rritje në Evropë, është se ato udhëhiqen nga dëshira e madhe për të rivendsour ‹ëndrrën e rendit patriarkal›, aty ku babai është baba, dhe gratë, të konceptuara si persona të gjinisë femërore nga lindja, rimarrin pozicionin e tyre ‹natyror› dhe moral brenda shtëpisë.
Anembanë Evropës, termi ‘ideologji gjinore’ është bërë një koncept qendror që përdoret për të kundërshtuar idetë që perceptohen si ideologjike, siç janë barazia gjinore, aborti, edukimi seksual, të drejtat reprodukuese dhe të drejtat e komunitetit LGBTIQ+. Mobilizimet anti-gjinore marrin forma të ndryshme, nga kundërshtimi i martesave të së njëjtës gjini deri te protestat kundër abortit. Megjithatë, ato shpesh konvergjojnë rreth idesë së ‘kërcënimit ndaj familjes’ dhe nevojës për ta mbrojtur atë. Familja që ato kërkojnë të mbrojnë është ekskluzivisht një njësi heteroseksuale, heteronormative, e përbërë nga një nënë dhe një baba (të martuar) dhe fëmijët, pra një ‘familje tradicionale’. Kjo ‘familje e kompletuar’ portretizohet si mjedisi i vetëm ‘i shëndetshëm’ për rritjen e fëmijëve. Rrjedhimisht, mbrojtja e kësaj familjeje barazohet me ruajtjen e fëmijëve, rikthimin e modeleve tradicionale familjare dhe rezistencën ndaj kërcënimeve të perceptuara, siç janë trendet socio-ekonomike dhe demografike, divorcet, ndryshimet në rolet ‘natyrore’ gjinore ose të drejtat LGBTIQ+.
Ndonëse idetë anti-gjinore kanë një histori të gjatë, zgjerimi i rrjetit të internetit ka krijuar hapësira të reja në të cilat këto koncepte kanë pësuar mutacion dhe janë përhapur gjerësisht. Feministët shpesh paraqiten nga grupet anti-gjinore si kundërshtarë kryesorë, të akuzuara për minimin e normave shoqërore konservatore. Shpeshherë maskuliniteti paraqitet si një koncept në krizë dhe patriarkati pozicionohet si zgjidhje ndaj kësaj pasigurie të perceptuar gjinore. Brenda këtij diskursi, familja tradicionale shërben si një pikë mbështetëse për rivendosjen e maskulinitetit, ku feja luan një rol legjitimues. Ndonëse thirrja në strukturat tradicionale familjare qëndron në bërthamën e lëvizjeve kundër gjinisë, ato gjithashtu mobilizohen rreth rrëfimeve mbi viktimizimin mashkullor, si reagim kundër pavarësisë dhe të drejtave të grave, ashtu edhe ndaj sfidave më të gjera ndaj supremacisë mashkullore.
Megjithëse lëvizja anti-gjinore nuk është gjurmuar formalisht në Kosovë, narativa e saj është e përqafuar dhe e qarkulluar gjerësisht mes individëve, veçanërisht në mediat sociale, ku është manifestuar kryesisht si gjuhë e urrejtjes që targeton gratë në sferën politike dhe publike. Siç do të diskutohet, kjo narativë u shfaq dhe u kristalizua më tej si përgjigje ndaj nenit të Kodit Civil për bashkëjetesat e gjinisë së njëjtë. Ajo është manifestuar si një zmbrapsje tradicionaliste ndaj barazisë gjinore, e ushqyer nga nacionalizmi dhe feja, duke sfiduar të drejtat e grave, të drejtat ekomunitetit LGBTQ+ dhe shëndetin reproduktiv përmes dezinformimit, retorikës politike dhe presioneve kulturore që përforcojnë stereotipet dhe normat patriarkale, duke krijuar një rrezik për regres shoqëror përkundër kornizave ligjore për barazi. Narativat anti-gjinore në Kosovë e portretizojnë rrejshëm barazinë gjinore si një imponim perëndimor, me qëllim ri-tradicionalizimin e shoqërisë, duke e lidhur shpesh atë me hipermashkulloritetin dhe rezistencën ndaj përparimeve në të drejtat gjinore dhe edukimin seksual, por gjithashtu duke paraqitur një kërcënim për sigurinë dhe mirëqenien e grave. Këto narativa përdorin dezinformimin dhe frikën për të polarizuar opinionin publik. Ato lidhin qëllimisht konceptet e diversitetit gjinor dhe të drejtave të komunitetit LGBTIQ+ me keqinformime rreth “shkatërrimit të familjes tradicionale.”
Ndonëse Kosova nuk ka një grup apo lëvizje anti-gjinore të organizuar formalisht, narativat anti-gjinore janë të ngulitura në gjuhën e urrejtjes që targeton gratë dhe në forma të ndryshme të dhunës me bazë gjinore (GBV), veçanërisht në platformat online. Këto praktika funksionojnë si mjete që përdoren zakonisht nga aktorët anti-gjinorë. Dhuna online me bazë gjinore përforcon normat patriarkale, mbikëqyrë kufijtë gjinorë dhe mobilizon kundërshtimin politik ose shoqëror ndaj barazisë gjinore.
Ky raport e vendos online dhunën me bazë gjinore (online GBV) brenda rrjeteve më të gjera anti-gjinore, ideologjive të krahut të së djathtës ekstreme dhe lëvizjeve transnacionale që targetojnë qëllimisht gratë, individët LGBTI+ dhe aktivistët. Ndërsa narativat anti-gjinore shpesh e paraqesin feminizmin, të drejtat LGBTI+ dhe të drejtat reproduktive si ‘kërcënime’ ndaj vlerave tradicionale, online dhuna me bazë gjinore i bën këto narativa operative në hapësirat digjitale të përditshme. Ideologjitë gjinore shpërndahen online përmes taktikave të tilla si deepfakes, ndarja e paautorizuar e imazheve intime, doxingut dhe përndjekja kibernetike, të cilat përdoren për të frikësuar, diskredituar ose heshtur individët e targetuar.
Raportin e përkthyer në gjuhë serbe mund ta gjeni këtu: USPON ANTIRODNIH NARATIVA NA KOSOVU Desničarske ideologije, digitalno nasilje i pretnje ženskim pravima
Ky publikim u financua nga Bashkimi Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian ose të BIRN-it.