Pasqyrimi i potencialit për integrimin konstruktiv të serbëve të Kosovës në arsim, shëndetësi, ekonomi dhe trashëgimi kulturore

23/12/2024

Pasqyrimi i potencialit për integrimin konstruktiv të serbëve të Kosovës në arsim, shëndetësi, ekonomi dhe trashëgimi kulturore
E PUBLIKUAR NGA

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë dhe New Social Initiative - NSI

Mbështetur nga

BTD, Fondi Gjerman Marshall i SHBA-së, USAID dhe Qeveria e SHBA-së

AUTORË

Ramadan Ilazi, Aleksandar Šljuka

Shkarko

Ky raport eksploron sfidat dhe mundësitë për integrimin e komunitetit serb të Kosovës në sektorët kyç si arsimi, shëndetësia, trashëgimia kulturore dhe ekonomia. Gjetjet bazohen në të dhënat primare të mbledhura përmes dy diskutimeve në fokus grupe me komunitetin serb të Kosovës në Mitrovicën e Veriut në muajin gusht të vitit 20 24 dhe me komunitetin shqiptar të Kosovës në muajin shtator të vitit 2024, krahas një analize të burimeve dytësore, duke përfshirë dokumentet ligjore, raportet dhe analizat e ekspertëve.

Analiza jonë tregon se integrimi kuptimplotë i serbëve të Kosovës është i lidhur ngushtë me normalizimin më të gjerë politik të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Pa përparim të dukshëm në këtë fushë, përpjekjet për integrimin e serbëve të Kosovës me shumë gjasa do të përballen me rezistencë nga ky komunitet. Qasja e qeverisë së Kosovës ndaj komunitetit serb të Kosovës duhet të shkojë drejt një diskursi që promovon të drejtat ekzistuese të garantuara me Kushtetutën e Kosovës dhe planin e Ahtisarit.

Diskutimet tona në fokus grupe kanë nxjerrë në pah konfuzionet dhe keqkuptimet e konsiderueshme rreth asaj se çfarë përfshin integrimi i shkollave ku mësimi zhvillohet në gjuhën serbe ose sistemi shëndetësor i financuar nga Serbia në Kosovë. Në mesin e serbëve të Kosovës, ekziston shqetësimi se integrimi mund të nënkuptojë humbjen e kontrollit mbi vendimet, si për shembull se cilat tekste shkollore duhet të përdorin ose programet mësimore në shkollat e tyre. Ndërkohë, edhe komunitetit shqiptar të Kosovës duket se i mungon njohuria apo mirëkuptimi i plotë për të drejtat e garantuara për serbët e Kosovës në fusha të tilla si arsimi dhe shëndetësia. Për shembull, Kushtetuta e Kosovës u jep serbëve të Kosovës të drejtën të përdorin tekstet shkollore serbe, të ndjekin plan programin serb, të marrin fonde nga qeveria serbe dhe të drejtën që komuna e Mitrovicës së Veriut mund të themelojë universitet. Këto keqkuptime nxjerrin në pah nevojën për komunikim më të qartë dhe shkëmbim informacioni për të kapërcyer hendekun midis komuniteteve.

Opinioni i gjerë i Kosovës duhet të jetë më shumë i informuar për të drejtat dhe autonominë ekzistuese që gëzon komuniteti serb sipas kornizës legjislative të Kosovës. Keqkuptimet rreth masës së këtyre të drejtave, si edhe e drejta e shkollave që mësimin e mbajnë në gjuhën serbe për të funksionuar sipas plan programeve serbe dhe për të marrë fonde nga Serbia, kanë kontribuar në perceptimet negative se masa të tilla janë koncesione dhe jo të drejta ligjore të garantuara.

Qeveria e Kosovës duhet të e ketë si prioritet dialogun e brendshëm të premtuar prej kohësh me komunitetin serb. Ky dialog duhet të zhvillohet në mënyrë transparente, me fokus në ndërtimin e besimit dhe adresimin e shqetësimeve të komunitetit. Masat e ndërtimit të besimit, në koordinim me aktorët ndërkombëtarë si BE, SHBA dhe vendet e QUINT-it, do të jenë vendimtare për nxitjen e një marrëdhënieje konstruktive.

Integrimi ekonomik është ende i kufizuar, ku komunat me shumicë serbe kryesisht mbështeten në punësimin e sektorit publik dhe ekonomitë joformale, përderisa përpjekjet për të formalizuar ekonominë dhe për të nxitur bashkëpunimin e biznesit ndëretnik janë përballur me rezistencë në veri të Kosovës, ndërsa në jug ka disa nivele të bashkëpunimit biznesor ndëretnik.

Janë disa çështje urgjente që pengojnë potencialin për integrim ekonomik dhe pengojnë zhvillimin e sektorit të biznesit në zonat me shumicë serbe, veçanërisht në veri të Kosovës. Në vend që të nxisin rritjen, këto sfida kontribuojnë në mbylljen ose reduktimin e ndjeshëm të aktivitetit të biznesit. Faktorët kryesorë përfshijnë situatën e brishtë politike dhe të sigurisë, veçanërisht në veri, ndalimin e pjesshëm të importit të mallrave serbe, hapjen e bizneseve shqiptare të motivuar politikisht në veri dhe fushatat e vazhdueshme për të dekurajuar blerjen e produkteve serbe. Përveç kësaj, prodhuesit serbë të Kosovës përballen me mundësi të kufizuara për të hyrë në tregjet më të gjera të Kosovës dhe Shqipërisë, gjë që e rëndon edhe më tej izolimin ekonomik. Kjo dinamikë jo vetëm që minon bizneset lokale, por gjithashtu thellon ndarjet etnike, duke penguar qëllimet më të gjera të integrimit rajonal dhe bashkëpunimit ekonomik.

Integrimi i shkollave në gjuhën serbe në sistemin arsimor të Kosovës është i stërmbushur me ndjeshmëri politike dhe shqetësime të thella brenda komunitetit serb të Kosovës, si për shembull se si do të ndikojë në plan programin e shkollës nëse do të minonte identitetin dhe kulturën serbe, si dhe çështjen e vendeve të punës të mësimdhënësveE rëndësishme të theksohet në këtë kontekst është se neni 12 i Ligjit Nr. 03/L-068 për Arsimin në Komuna thotë qartë se “Shkollat të cilat japin mësim në gjuhën serbe mund të përdorin plan programe apo tekste shkollore të hartuara nga Ministria e Arsimit e Republikës së Serbisë pas njoftimit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës.” 1 Në nivelin e politikave, ekziston një shqetësim i vërtetë në mesin e komunitetit serb të Kosovës në lidhje me kornizën rregullatore arsimore të Kosovës në lidhje me raportin nxënës-mësues, i cili potencialisht mund të çojë në mbylljen e shumë shkollave, veçanërisht në fshatrat më të vogla të banuara me serbë. Kjo do të prekte në mënyrë disproporcionale komunitetet nga zonat rurale, ku nxënësit serbë të Kosovës tashmë janë më të izoluar, dhe mund të zvogëlojë më tej praninë e serbëve të Kosovës në këto zona. Korniza ligjore e Kosovës garanton mbrojtjen e trashëgimisë kulturore serbe. Megjithatë, rastet e politizimit të çështjeve kulturore kanë nxitur mosbesim.

Raporti vjen në përfundim se ekzistojnë zgjidhje për të ecur drejt integrimit konstruktiv, por zbatimi do të jetë sfidues. Suksesi varet nga vullneti politik i Kosovës edhe i Serbisë për t'u angazhuar në dialog transparent, duke i shmangur retorikës nxitëse dhe për të siguruar mbështetje për masat integruese nga komuniteti serb i Kosovës përmes iniciativave për ndërtimin e besimit. Mbështetja dhe koordinimi ndërkombëtar me BE-në dhe SHBA-në do të jenë gjithashtu vendimtare për ecurinë e procesit.

Opinionet e shprehura në këtë publikim nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Balkan Trust for Democracy, Fondit Gjerman Marshall të SHBA-së, USAID-it apo Qeverisë së SHBA-së.