Në ç ’mënyrë dezinformimi shënjestron dhe ndikon në marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë?

24/01/2025

Në ç ’mënyrë dezinformimi shënjestron dhe ndikon në marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë?
E PUBLIKUAR NGA

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë

Mbështetur nga

Institutit Kombëtar Demokratik (NDI) dhe Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), në Kosovë

AUTORË

Ramadan Ilazi, Jeta Loshaj, Tamara Pavlović, Agnesa Bytyçi (Asistente e Hulumtimit)

Shkarko

Dezinformimi dhe keqinformimi janë çështje të përhapura në Kosovë, ku shfrytëzojnë ndarjet ekzistuese shoqërore dhe besimin e ulët në të dhënat institucionale. Pjesëmarrësit në fokus grupe dhe intervista kryesisht e përkufizuan keqinformimin si pasaktësi të paqëllimshme ose të vërteta të pjesshme të përhapura për shkak të keqkuptimit ose mungesës së verifikimit, ndërsa dezinformimi shihej si informacion mashtrues qëllimisht i krijuar për të krijuar ndarje. Edhe pse informimi keqdashës/malicioz nuk u diskutua, dallimi në mes të keqinformimit dhe dezinformimit nxjerr në pah natyrën e qëllimshme të këtij të fundit në destabilizimin e marrëdhënieve ndëretnike.

Sipas sondazhit të fundit të NDI në Kosovë, 67% e serbëve të Kosovës besojnë se gjërat po shkojnë në drejtimin e gabuar, ndërsa 41% e shqiptarëve të Kosovës besojnë të kundërtën. Serbët e Kosovës kanë prioritet papunësinë (66%) dhe tensionet ndëretnike (49%) si çështjet e tyre kryesore, kurse shqiptarët fokusohen më shumë në papunësinë (77%) dhe korrupsionin (56%). Ekziston dallimi konsiderueshme në perceptimet e marrëdhënieve ndëretnike, deri sa 65% e serbëve të Kosovës presin që marrëdhëniet të përkeqësohen, 53% e shqiptarëve të Kosovës janë optimistë për përmirësim. Konsumi mediatik është i segmentuar shumë sipas përkatësisë etnike me 79% të serbëve të Kosovës që mbështeten çdo ditë në stacionet televizive serbe, me 66% që shprehin besim në këto media. Të anketuarit shqiptarë të Kosovës kryesisht përdorin stacionet televizive të Kosovës (86%) dhe mediat sociale (50%) si burime informacioni. Besimi në burimet e informacionit mbetet i ulët midis grupeve etnike, me mbështetjen në rrjetet personale (miqtë dhe familja) të zakonshme për verifikimin e fakteve.2 Komuniteti serb i Kosovës beson gjerësisht në narrativat e dezinformatave, siç janë pretendimet për plane të spastrimit etnik dhe keqtrajtimi nga Policia e Kosovës gjatë incidenteve si sulmi terrorist në Banjska. Në mesin e shqiptarëve të Kosovës, skepticizmi rreth këtyre narrativave është më i lartë, duke reflektuar polarizimin etnik.

Një faktor i rëndësishëm që mundëson si keqinformimin ashtu edhe dezinformimin është skepticizmi ndaj narrativave institucionale – qoftë nga qeveria, organizatat ndërkombëtare apo mediat kombëtare. Këto institucione përgjithësisht shihen si të njëanshme ose të drejtuara me agjendë të caktuar, jashtë sinkronizimit me prioritetet e komuniteteve lokale. Anasjelltas, mbështetja në burime të njohura, siç janë mediat lokale të lajmeve të ndara etnikisht dhe komunikimi përmes thashethemeve, përkeqëson ndarjen dhe mosbesimin. Këto burime, megjithëse perceptohen si të ngjashme dhe që veprojnë në interesin më të mirë të komunitetit, shpesh janë të njëanshme, jo të plota ose të pasakta, duke përforcuar më tej kuvendimet me mendime të njëjta në komunitet.

Marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve të Kosovës shpesh manipulohen përmes dezinformatave për të nxitur mosbesimin. Veprimet e Qeverisë së Kosovës që prekin komunitetin serb – siç është mbyllja e institucioneve – në mediat serbe prezantohen si diskriminim etnik apo edhe “spastrim etnik”. Në mënyrë të ngjashme, raportet e pakontekstualizuara ose të ofruara në mënyrë senzacionale për ngjarjet në kaluarën, si pretendimi i sajuar i mbytjes në ujë të fëmijëve shqiptarë nga serbët, vazhdojnë të ndezin armiqësinë etnike. Këto narrativa shfrytëzojnë historinë e pazgjidhur, duke përforcuar pakënaqësitë që pengojnë përpjekjet për pajtim.

Vështirësitë socio-ekonomike, të tilla si nivelet e larta të varfërisë dhe mangësitë e punësimit, rrisin ndjeshmërinë ndaj dezinformimit Sipas Indeksit të cenueshmërisë Democracy Plus 2024, i cili pa rezultatin e cenueshmërisë së Kosovës të rritet nga 41 në 57, paqëndrueshmëria ekonomike i bën individët më të ndjeshëm ndaj dezinformatave të ngarkuara emocionalisht. Qasja e kufizuar  në arsim cilësor dobëson të menduarit kritik dhe edukimin mediatik, duke i bërë që shumë individë të mos jenë të aftë të identifikojnë informacionin e njëanshëm. Instituti Kombëtar Demokratik në raportin e tij për Integritetin e Informacionit në Kosovë, Vlerësimi i Ekonomisë Politike të Dezinformatave (korrik 2022) gjeti se sistemi arsimor i përgatit në mënyrë të pamjaftueshme qytetarët për vlerësimin e dezinformatave online, duke rritur më tej cenueshmërinë. 

Çështja e dezinformimit nuk është thjesht një sfidë e ekosistemeve moderne të informacionit; është një strategji e qëllimshme e përdorur nga akterë të brendshëm dhe të jashtëm për të destabilizuar komunitetet dhe për të minuar qeverisjen demokratike. Përderisa platformat digjitale zgjerojnë aksesin në informacion, ato gjithashtu lehtësojnë përhapjen e shpejtë të narrativave të rreme, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë për komunitetet të dallojnë faktin nga trillimi. Ky raport trajton këto sfida me fokus në implikimet e tyre në marrëdhëniet ndëretnike ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës.

Ky raport bazohet në hulumtime cilësore, duke përfshirë njohuri nga dy burime parësore: Dy diskutime në fokus grupe u zhvilluan me gjithsej pesëmbëdhjetë pjesëmarrës, të përbërë nga kombinimi i shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve të Kosovës. Këto diskutime siguruan një perspektivë bazë se si dezinformimi ndikon në dinamikën ndëretnike, duke eksploruar përvojat e përjetuara, perceptimet dhe sfidat e nivelit të komunitetit. Për më tepër, nëntë intervista të thelluara u kryen me një gamë të ndryshme të palëve të interesuara, duke përfshirë ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë, përfaqësues nga shoqëria civile dhe zyrtarë qeveritarë. Këto intervista ofruan njohuri ekspertësh për dimensionet strukturore, kulturore dhe politike të dezinformimit në Kosovë.

Kombinimi i këtyre qasjeve ofron një kuptim të nuancuar të problemit, duke kapur si prirjet e nivelit makro ashtu edhe përvojat e nivelit mikro. Gjetjet janë kontekstualizuar brenda literaturës ekzistuese dhe plotësohen me të dhëna statistikore nga anketat dhe studimet e mëparshme.

Raporti është i strukturuar siç vijon: Një analizë e detajuar e temave dhe njohurive kryesore që dolën nga fokus grupet dhe intervistat, duke theksuar ndikimin e dezinformatave në marrëdhëniet ndëretnike, besimin institucional dhe përpjekjet për pajtim. Seksioni vijues shqyrton faktorët strukturorë, kulturorë dhe politikë që e bëjnë Kosovën veçanërisht të ndjeshme ndaj dezinformimit. Këtu përfshihen gjithashtu edhe përmbledhja e metodave dhe rrëfimeve kryesore të përdorura në fushatat e dezinformimit, duke përfshirë rolet e mediave, aktorëve politikë dhe komunitetit të diasporës. Një vlerësim se si dezinformimi ndikon në dinamikën e komunitetit, ruan stereotipet dhe minon nismat për ndërtimin e paqes.

Përpjekjet e vazhdueshme të Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë e bëjnë veçanërisht të theksuar çështjen e dezinformimit. Dezinformimi jo vetëm që mban gjallë ndarjen, por edhe minon besimin në institucionet dhe përpjekjet ndërmjetësuese për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Duke trajtuar mekanizmat dhe ndikimet e dezinformimit, ky raport synon të kontribuojë në një kuptim më të thellë se si të kundërvihet më mirë dezinformata që synon marrëdhëniet ndëretnike, në mënyrë që të nxisë një shoqëri kohezive dhe demokratike.

Gjetjet dhe rekomandimet e paraqitura këtu synojnë të shërbejnë si burim për politikëbërësit, organizatat e shoqërisë civile, punonjësit e mediave dhe aktorët ndërkombëtarë që punojnë për të promovuar paqen dhe pajtimin në Kosovë. Në thelb të tij, ky raport thekson rëndësinë e nxitjes së qëndrueshmërisë ndaj dezinformatave ku marrëdhëniet ndëretnike karakterizohen nga besimi, bashkëpunimi dhe respekti reciprok.

Punimi hulumtues “Të kuptuarit se si dezinformimi shënjestron dhe ndikon në marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë” zbatohet me mbështetjen e Institutit Kombëtar Demokratik (NDI) dhe Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), në Kosovë. Përmbajtja e këtij punimi hulumtues i përket Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet dhe qëndrimet e NDI-së dhe USAID-it. 

Raportin në gjuhën serbe mund ta gjeni këtu: Kako dezinformacije ciljaju i utiču na međuetničke odnose na Kosovu?