Integrimi i Policisë Në Veri të Kosovës: Progresi dhe sfidat që mbeten në zbatim të Marrëveshjes së Brukselit

10/04/2014

Integrimi i Policisë Në Veri të Kosovës: Progresi dhe sfidat që mbeten në zbatim të Marrëveshjes së Brukselit
E PUBLIKUAR NGA

Forumi Hulumtues i Sigurisë

AUTORË

Maja Bjelosh, Bojan Elek, Fjolla Raifi

Shkarko

Marrëveshja e Brukselit po ashtu ka përcaktuar obligimin për krijimin e një Komande Rajonale të PK-së në Veri, përgjegjëse për të mbuluar katër komunat veriore me shumicë serbe. Gjetjet e kësaj analize tregojnë se deri në fund të muajit mars 2014, 285 ish punonjës të MUP-it duhet të fillojnë procesin e integrimit. Kjo ka shënuar një hap të rëndësishëm përpara në zbatimin e Marrëveshjes. Ka pasur disa paqartësi dhe sfida lidhur me krijimin e Komandës Rajonale të PK-së për Veriun, veçanërisht rreth asaj se a duhet kjo Komandë të përfshijë vetëm katër komunat serbe në veri, apo edhe ato të Mitrovicës Jugore dhe të Vushtrrisë. Përveç kësaj, ka pasur disa mosmarrëveshje lidhur me emërimin e Komandantit të Veriut, post i cili për momentin mbahet nga ushtruesi e detyrës së komandantit Nenad Djurić.

Përveç këtyre çështjeve organizative, pika kryesore e mosmarrëveshjes kishte të bënte me procesin e verifikimit, i cili u kritikua për shkak të kohës së kufizuar për zhvillimin e tij dhe vështirësive që të zbatohet cikli i përgjithshëm i verifikimit. Çështja se kush duhet të ketë përgjegjësinë për procesin e verifikimit ishte dominuese në diskursin politik si në Prishtinë ashtu edhe në Beograd. Për më tepër, trajnimi fillestar i cili u organizua për ish-pjesëtarët e MUP-it ishte i shkurtër, çka ngriti pastaj çështjen e integrimit të duhur dhe përshtatjes së tyre në strukturën organizative të PK-së. Përveç kësaj, gjatë bisedimeve në Bruksel pala serbe ja dorëzoi autoriteteve të Prishtinës një listë prej 337 policëve të cilët duhej të integroheshin. Prej këtyre, 285 u ftuan t‟i bashkëngjiten procesit të integrimit, ndërsa 52 ish pjesëtarë të MUP-it u hoqën nga lista. Ndër këta 52 pjesëtarë kishte të atillë që nuk dëshironin t‟i bashkohen PK-së, disa kishin aplikuar por nuk i kishin plotësuar të gjitha kushtet dhe disa nuk kishin kaluar verifikimin e sigurisë. Përveç këtyre, përafërsisht 800 ish pjesëtarë të stafit të MUP-it në Kosovën qendrore dhe lindore u pensionuan ose u hoqën nga procesi i integrimit. Kjo shkaktoi pakënaqësi tek këta persona, si dhe ankesa se Marrëveshja e Brukselit po aplikohej vetëm për Kosovën Veriore.