Çfarë mund të mësojë Kosova nga Qasja e Shteteve Baltike lidhur me Mbrojtjen e Infrastrukturës Kritike?

24/11/2023

Çfarë mund të mësojë Kosova nga Qasja e Shteteve Baltike lidhur me Mbrojtjen e Infrastrukturës Kritike?
E PUBLIKUAR NGA

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë

AUTORË

Donika Elshani

Shkarko

Infrastruktura kritike, që përfshin sistemet dhe asetet jetike të rëndësishme për funksionimin e shoqërisë, përballet me një gamë të ndryshme kërcënimesh, nga fatkeqësitë natyrore të shkaktuara nga ndryshimet klimatike deri te gabimet dhe fatkeqësitë e shkaktuara nga njeriu. Ballkani Perëndimor, përfshirë Kosovën, nuk janë imun ndaj këtyre sfidave. Në kontekstin e Kosovës, tensionet me prapavijë etnike dhe politike, përmbytjet e rënda dhe sulmet kibernetike janë vetëm disa shembuj të kërcënimeve që paraqesin rreziqe të konsiderueshme për infrastrukturën e saj kritike. Në prill të vitit 2019, Kosova miratoi Ligjin për Infrastrukturën Kritike, duke u bërë vendi i parë në rajon që e bën këtë në përputhje me direktivat e BE-së. Megjithatë, zbatimi i ligjit ka munguar, duke lënë shumë hapësirë për përmirësime dhe veprime të mëtejshme. 

Qëllimi i këtij dokumenti të shkurtër të politikave është të mbështesë përpjekjet e institucioneve publike, me fokus të veçantë në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), në dizajnimin dhe zbatimin e një sistemi efektiv dhe gjithëpërfshirës të infrastrukturës kritike në Kosovë. Përmbledhja synon të ofrojë një pasqyrim të shembujve të praktikave më të mira nga shtetet Baltike, të cilat janë bërë të njohura si liderë në fushat e sigurisë kibernetike dhe qëndrueshmërisë së infrastrukturës kritike. Shtetet Baltike, që janë Estonia, Letonia dhe Lituania, ofrojnë një bazë të mirë krahasimi për Kosovën në këtë fushë, jo vetëm për shkak të sfidave të tyre të ngjashme historike, afërsisë gjeografike dhe profilit të ngjashëm demografik. Ndryshe nga shtetet Baltike, Kosova është në fazat fillestare të krijimit të kornizës së saj për mbrojtjen e infrastrukturës kritike. Edhe pse sektori është larg nga të qenit plotësisht funksional, kjo fazë ofron një mundësi të vlefshme për akterët institucionalë të përfshirë në Kosovë që të mësojnë nga vendet siç janë shtetet Baltike. 

Kosova mund të mësojë disa mësime të rëndësishme nga përvojat e Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë në mbrojtjen e infrastrukturës kritike duke i zbatuar këto njohuri dhe duke marrë parasysh sfidat dhe nevojat specifike të infrastrukturës së saj dhe peizazhit të sigurisë.