Ky projekt ka për qëllim kryesor avoimin për rritje të transparencës institucionale të Policisë së Kosovës (PK) si dhe monitorimin e vlerësimin e performancës, qeverisjes së brendshme dhe integritetit në PK lidhur me luftimin e korrupsionit policor dhe parandalimin e konfliktit të interesit që shkaktohet nga zyrtarët policorë.
Në kuadër të Programit për Integritet në Sektorin e Sigurisë, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) nga dhjetori i vitit 2019 ka nisur zbatimin e projektit “Fuqizimi i integritetit në Policinë e Kosovës”. Ky projekt ka për qëllim kryesor avoimin për rritje të transparencës institucionale të Policisë së Kosovës (PK) si dhe monitorimin e vlerësimin e performancës, qeverisjes së brendshme dhe integritetit në PK lidhur me luftimin e korrupsionit policor dhe parandalimin e konfliktit të interesit që shkaktohet nga zyrtarët policorë.
Gjatë zbatimit të aktiviteteve të projektit do të bëhet monitorimi dhe vlerësimi i zbatimit të Planit për Fuqizimin e Integritetit në PK, ku ndër të tjera kërkohet ngritja e transparencës së brendshme të PK-së si dhe ndërmarrja e masave për përmirësim në luftën kundër korrupsionit policor dhe parandalimin e konfliktit të interesit.
Një objektive tjetër e këtij projekti është fuqizimi i integritetit dhe qeverisjes së mirë në PK përmes adresimit të çështjeve që kanë të bëjnë me luftimin e korrupsionit policor dhe parandalimin e konfliktit të interesit. Në këtë objektiv do të monitorohet menaxhimi i ankesave nga Inspektorati Policor i Kosovës ndaj zyrtarëve policorë të përfshirë në korrupsion dhe rastet e konfliktit të interesit që hetohen nga Agjencia Kundër Korrupsionit për zyrtarët e lartë të Policisë. Gjithashtu, rastet e korrupsionit policor që hetohen si vepër penale nga Prokuroria do të monitorohen gjatë fazë së zbatimit të projektit.
Gjithashtu, synohet zbatimi i rekomandimeve të këtij projekti nga ana e Policisë, Inspektoratit Policor të Kosovës, Prokurorisë dhe Agjencisë Kundër Korrupsionit në drejtim të parandalimit, zvogëlimit dhe luftimit të korrupsionit brenda Policisë si dhe në parandalimin e konfliktit të interesit të zyrtarëve policorë pavarësisht gradave dhe pozitës.
Projekti do të zgjas një vit dhe mbështetet nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS).