11/12/2020
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS)
Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS)
Plator Avdiu & Shpat Balaj
Viteve të fundit, praktikat e integritetit të sektorit të sigurisë së Kosovës, në veçanti ato të Policisë së Kosovës, kanë hasur në sfida të ashpra, të cilat janë rënduar nga pandemia aktuale e Covid-19 me të cilën po ballafaqohet vendi. Zyrtarë të shumtë policorë u janë nënshtruar hetimeve penale nga mekanizmat përkatës të sundimit të ligjit (Inspektorati Policor i Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit) për vepra të pretenduara penale në lidhje me shkelje të procedurave ligjore që rregullojnë detyrat e tyre zyrtare. Në anën tjetër, vendimi i kryeministrit të Kosovës i marrë në tetor 2020 për shkarkimin e ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, ia ka hapur rrugën ndikimit të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë politik nga partitë në pushtet mbi Policinë e Kosovës. Për më tepër, kjo mund të ketë ndikim të dukshëm në dekurajimin e reformave strukturore në polici, veçanërisht në menaxhimin e burimeve njerëzore.
Ky punim pasqyron legjislacionin aktual, instrumentet ligjore dhe procedurat ligjore për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit, si dhe një analizë që synon identifikimin e hendekëve dhe mangësive në kornizën aktuale ligjore në këtë drejtim. Fakti që institucionet e Kosovës nuk kanë arritur ta përmirësojnë legjislacionin kundër korrupsionit sa i përket deklarimit të pasurisë dhe të miratojnë legjislacionin dytësor për sinjalizuesit, tregon mungon përkushtimi dhe të vullnetit politik për forcimin e integritetit të institucioneve shtetërore, përfshirë Policinë e Kosovës. Në këtë pjesë mbi kornizën ligjore, raporti analizon legjislacionin për çështjet e integritetit dhe kundër korrupsionit të lidhura në mënyrë specifike me Policinë e Kosovës. Ligji për Policinë dhe legjislacioni dytësor i Policisë së Kosovës përcaktojnë parimet e integritetit dhe procedurën e standardizuar të Policisë së Kosovës. Procesi i hartimit të Rregullores për Integritetin në Policinë e Kosovës është iniciuar, por deri më tash (dhjetor 2020) nuk ka informacion nëse Rregullorja është miratuar nga institucionet përkatëse.
Marrë parasysh gjendjen e praktikave të integritetit në Policinë e Kosovës, ky raport i adreson Policisë së Kosovës një pako rekomandimesh specifike për forcimin e integritetit, duke synuar zhvillimin profesional të institucionit dhe avancimin e masave kundër korrupsionit.
Institucionet e Kosovës (Qeveria dhe Kuvendi) duhet që sa më shpejt të miratojnë legjislacionin e ri për deklarimin e pasurisë dhe legjislacionin dytësor për sinjalizimin, i cili do të kontribuonte më tej në parandalimin e korrupsionit në institucionet publike, përfshirë Policinë e Kosovës. Në këtë drejtim, policia duhet gjithashtu të miratojë Rregulloren për Integritetin dhe ta harmonizojë me kornizën aktuale ligjore në fushën e masave kundër korrupsionit.
• Institucionet qendrore dhe Kuvendi i Kosovës duhet të sigurojnë miratimin e ligjit për pension të parakohshëm dhe të ligjit për trajtimin e invaliditetit për zyrtarët policorë të Policisë së Kosovës, në mënyrë që të rritet efikasiteti i Policisë së Kosovës dhe të krijohet hapësirë për reformën e burimeve njerëzore në kuadër të institucionit;
• Policia duhet të përfshijë mekanizmat dhe institucionet e mbikëqyrjes së jashtme në hartimin e Planit të ri të Integritetit, në mënyrë që të sigurojë një qasje më gjithëpërfshirëse që do të kontribuonte në një analizë më të detajuar të zonave në risk dhe në hartimin e aktiviteteve konkrete për të forcuar integritetin në kuadër të institucionit, bazuar në kapacitetet aktuale;
• Marrë parasysh shkarkimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës dhe argumentin që shkarkimi i tij rrjedh si rezultat i ndryshimit të paligjshëm të Organogramit të Policisë prej tij, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës duhet të sigurojnë informacione konkrete dhe të qarta për mënyrën si është e organizuar struktura organizative e policisë;
• Policia e Kosovës duhet të sigurohet që shpërndarja e burimeve njerëzore të bëhet bazuar në Listën e Personelit të Autorizuar, e cila përgatitet bazuar në nevojat aktuale dhe kapacitetet e Policisë së Kosovës;
• Në mënyrë që të adresohet problemi i shpërndarjes së burimeve njerëzore në departamentet e Policisë së Kosovës, duhet të rishikohen procedurat e brendshme, dhe duhet të rritet efektiviteti i proceseve të gradimit dhe dhënies së gradave. Raportet e mekanizmave të mbikëqyrjes së jashtme, siç janë Inspektorati Policor i Kosovës dhe Zyra Kombëtare e Auditimit, duhet të bazohen në dinamikën e institucionit dhe mundësitë aktuale për shpërndarjen e burimeve njerëzore, bazuar në rregulloret dhe procedurat e brendshme të Policisë së Kosovës;
• Zyra Kombëtare e Auditimit duhet të sigurojë që zyrtarët e saj të marrin një leje sigurie nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, në mënyrë që ata të kenë mundësi të kontrollojnë kontratat e klasifikuara që përbëjnë një pjesë të madhe të ekzekutimit të buxhetit.
Ky publikim mbështetet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS) në kuadër të projektit “Fuqizimi i integritetit në Policinë e Kosovës”. Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë përgjegjësi vetëm e Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e KFOS-it.