19/09/2022
Qendra për Studime Ndërkombëtare (CeSI- Centro Studi Internazionali) dhe Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) më datën 20 Shtator 2022 organizojnë konferencën Ndërkombëtare me temën: ‘’Ndërtimi i Reziliencës: Programet R&R për Ekstremistët dhe Luftëtarët e Huaj në Kosovë dhe Itali’’, nga ora 09:30, në Swiss Diamond Hotel- Prishtinë. Konferenca është aktiviteti i fundit i projektit ‘’Ndërtimi i Reziliencës: ngritja e kapaciteteve profesionale të institucioneve të Kosovës në R&R në fazën e pas lirimit e të dënuarve për terrorizëm, projekt i cili ka filluar të zbatohet në Dhjetor 2021 dhe është financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Italisë.
Qëllimi kryesor i projektit është ngritja e kapaciteteve profesionale të Shërbimit Sprovues të Kosovës (SHSK) në menaxhimin e individëve të radikalizuar dhe ish-luftëtarëve të huaj të liruar apo dënuar me kusht nga institucionet e drejtësisë. Ekipi i projektit i përbërë nga hulumtuesit e QKSS dhe CeSI-t ka punuar për të identifikuar nevojat e SHSK-së në fushën e rehabilitimit dhe riintegrimit të luftëtarëve të huaj të dënuar për terrorizëm dhe për të forcuar kapacitetet e tyre. Raporti dhe projekti synon të forcojë bashkëpunimin e institucioneve kosovare dhe italiane në fushën R&R duke shkëmbyer përvojat dhe praktikat ndërmjet tyre. Nëpërmjet këtij projekti në kemi përgatitur një raport hulumtues që trajton strategjitë italiane dhe kosovare gjatë përballjes me ekstremizmin e dhunshëm si dhe R&R. Në fund, raporti ofron disa rekomandime për politikëbërësit.
Qëllimi i konferencës përmbyllëse nuk është vetëm të paraqesë dhe diskutojë raportin e përgatitur nga QKSS dhe CeSI, por gjithashtu të ofrojë disa njohuri dhe perspektiva themelore nga ekspertët kosovar dhe italian që punojnë në tema të tilla si terrorizmi, ekstremizmi i dhunshëm dhe programet e R&R në Kosovë dhe Itali.
Konferenca do të mbahet në Prishtinë më 20 shtator 2022 dhe do të përbëhet nga tri panele. Në panelin e parë do të bëhet prezantimi i rezultateve të raportit nga ekipi QKSS dhe CeSI, ndërsa pjesa e dytë dhe e tretë e konferencës do të synojnë të diskutojnë kërcënimet e reja të shfaqura të ekstremizmit të dhunshëm dhe pikat e forta dhe të dobëta të programeve R&R në Itali dhe Kosovë.
9:30 – 10:10 Fjalët Hyrëse
Mentor Vrajolli – Drejtor i QKSS-së
Marco di Liddo – Udhëheqës i Analizave CeSI
Xhelal Sveçla – Ministër i Punëve të Brendshme, Republika e Kosovës
H.E Antonello De Riu – Ambasador i Italisë në Republikën e Kosovës
10:15-10.45 Prezantimi i raportit hulumtues
Skënder Përteshi – Analist i Politikave, QKSS
Claudia Annovi- Hulumtuese e Politikave, CeSI
10.50-11.30 Rreziqet dhe kërcënimet e reja- terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm në Ballkan Perëndimor
Besa Ismaili– Ligjëruese, Fakulteti i Studimeve Islame në Prishtinë
Claudia Annovi – Hulumtuese e Politikave, CeSI
Ramadan Ilazi – Udhëheqës i Hulumtimeve, QKSS
Fabian Zhilla – Ekspert i çështjeve të sigurisë në Shqipëri
Samet Shabani- Drejtor Ekzekutiv, Horizon Civitas
Moderuar nga: Rebeka Qena
11:30-11:45 Pauzë për Kafe
11.50 –12.30 Praktikat e R&R në Kosovë dhe Itali
Sabrina Martucci– Eksperte e R&R , Itali
Sami Gashi – U.d Drejtor, Shërbimi Korrektues i Kosovës
Teuta Avdimetaj – Eksperte e KT, Kosovë
Arsim Tahiri –U.d Drejtor, Shërbimi Sprovues i Kosovës
Mensur Hoti – Drejtor i Departamentit për Siguri Publike, Ministria e Punëve të Brendshme Kosovë
Moderuar nga: Marco Di Liddo, CeSI
12:30-13:00 Përmbledhje dhe diskutim i hapur
Për t'a përcjellur konferencën klikoni këtu here.