12/01/2012
QKSS vazhdon me pranimin e studentëve dhe të interesuarve për zhvillimin e aftësive të tyre hulumtuese. Kështu, QKSS zgjeron kapacitetet e saja edhe me dy praktikante të tjera të cilat do të qëndrojnë në QKSS për disa muaj dhe asistojnë stafin e QKSS në disa hulumtime duke u angazhuar në fusha të caktuara hulumtuese.
Njëra nga praktikantet është znjsh. Violeta Ferati e cila ka diplomuar pranë Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Fulda, Gjermani në Programin Master të Komunikimit Ndërkulturor dhe Studime të Bashkimit Evropian. Studimet Baçelor i ka përfunduar në Universitetin e Prishtinës në Gjuhë dhe Letërsi Angleze. Ndër tjerash, ka qenë mësimdhënëse dhe asistente ligjëruese, ka punuar në Zyrën për Marrëdhënie me Jashtë të Universitetit të Prishtinës, Caritas Europa në Bruksel, Ambasadën e Republikës së Kosovës në Berlin dhe që nga viti 2008 ka punuar për Caritas Kosova si zëvendës-udhëheqëse e departamentit social, dhe tani si konsulente për vlerësim dhe monitorim. Në kuadër të Programit Think Tank Internship Fund të mbështetur nga OSF, ajo do të punojë në QKSS për 6 muajt e ardhshëm.
Praktikantja tjetër është znjsh. Emma Johansson e cila është në vitin e tretë të studimeve Baçelor në Universitetin Linnaeus, Suedi. Studion Programin Ndërkombëtar për Studime Shoqërore me fokus primar në Studime të Paqes dhe Zhvillimit. Në semestrin e fundit të studimeve, asaj i është ofruar mundësia që të zhvillojë praktikë jashtë vendit dhe për shkak të interesimit të saj në regjionin e Ballkanit dhe në veçanti Kosovës, ajo e konsideron punën e QKSS të rëndësishme për zhvillimin e sigurisë dhe paqes në Kosovë. Praktika e saj në QKSS do të zgjasë 15 javë dhe praktikantja nga Suedia është e interesuar të shkëmbejë përvoja dhe dije në fushën e Paqes dhe Zhvillimit.
Në ndërkohë, Sekretari dhe Hulumtuesi i Lartë i QKSS Mentor Vrajolli nga data 19 Janar 2012 do të qëndroj në Budapest për të ndjekur një program hulumtues në Qendrën Ndërkombëtare për Tranzicion Demokratik (ICDT) si pjesë e Research Fellowship Programme për hulumtime të Politikave e financuar nga Fondi Evropian për Ballkanin (EFB) dhe Think Tank Fund (TTF) i Institutit për Shoqëri të Hapur. Përveç donatorëve QKSS po ashtu falënderon edhe ICDT për ofrimin e mundësisë për kryerjen e Fellowship-it për z. Vrajolli.