20/05/2026
Më 15 maj, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) organizoi një webinar në kuadër të projektit “Forcimi i Rolit dhe Kapaciteteve të Gazetarisë Hulumtuese në Kosovë,” që fokusohet në parandalimin dhe rritjen e reziliencës ndaj ideologjive anti-gjinore dhe ekstremizmit të djathtë në Kosovë. Gjatë aktivitetit u diskutuan të gjeturat e raportit “Rritja e Narativave Anti-Gjinore në Kosovë: Ideologjitë e së Djathtës Ekstreme, Dhuna Digjitale dhe Kërcënimet ndaj të Drejtave të Grave”.
Në panel morën pjese aktiviste dhe eksperte që trajtuan ndikimin e narrativave anti-gjinore në shoqërinë kosovare, format e dhunës digjitale ndaj grave dhe sfidat që vazhdojnë të cenojnë barazinë gjinore dhe hapësirën demokratike. Paneliste në këtë diskutim ishin Miranda Molliqaj nga QIKA.org, Diona Hoxha nga Friedrich Ebert Stiftung (FES), dhe Dea Fetiu, aktiviste, ndërsa diskutimi u moderua nga Jeta Loshaj, hulumtuese në QKSS.
Gjatë webinarit u theksua se ideologjitë anti-gjinore në Kosovë vazhdojnë të jenë të pranishme dhe shpesh ndërlidhen me nacionalizëm, struktura patriarkale dhe mungesë të reagimit të mirëfilltë institucional. Megjithatë, pjesëmarrëset nënvizuan se reagimet kundërshtuese ndaj përparimeve në të drejtat e grave dhe komunitetit LGBTIQ+ tregojnë se në shoqëri ekziston progres dhe ndryshim gradual, gjë që shpesh prodhon edhe kundërpërgjigje konservatore.
Diskutimi trajtoi gjithashtu rëndësinë e qasjes ndërthurëse (intersectionality), duke theksuar se diskriminimi nuk prek vetëm gratë në politikë apo jetën publike, por edhe grupe të tjera të margjinalizuara në shoqëri. Panelistet diskutuan arsyet pse narrativat anti-gjinore po bëhen më të dukshme në Kosovë, duke vënë në pah se debatet mbi feminizmin dhe barazinë gjinore kanë të bëjnë me drejtësinë sociale në përgjithësi, pa diskriminim ndaj asnjë gjinie apo komuniteti.
Në përmbyllje, u theksua se gratë në Kosovë vazhdojnë të dëshmojnë reziliencë dhe angazhim të vazhdueshëm qytetar, duke u mbështetur në një histori të gjatë aktivizmi që daton që nga periudha e ish-Jugosllavisë. Webinari shërbeu si hapësirë për reflektim dhe diskutim mbi nevojën për reagim më të koordinuar institucional dhe shoqëror ndaj narrativave anti-gjinore dhe ekstremizmit të djathtë në Kosovë.
Linku i webinar-it:
Ky aktivitet është financuar nga Bashkimi Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e QKSS dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Bashkimit Evropian apo BIRN-it.