3/12/2012
Nën organizimin e Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), në Prishtinë është mbajtur tryeza e rrumbullakët “Vlerësimi i implementimit të politikave të rendit publik dhe të sigurisë në kontekstin e procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën”.
QKSS publikoi hulumtimin për implementimin e strategjive në sferën e sigurisë. Për formësimin e këtij hulumtimi është përdorur një metodë e avancuar e shkencave sociale ku janë notuar arritjet në miratimin e dhe vlerësimin e strategjive: strategjisë për menaxhimin e integruar të kufirit, strategjisë kundër krimit të organizuar, strategjisë kundër trafikimit të qenieve njerëzore, strategjisë kundër drogave, strategjisë kundër-korrupsionit si dhe strategjisë kundër terrorizmit.
Drejtori ekzekutiv i QKSS, Florian Qehaja vlerësoi se Udhërrëfyesi për Liberalizimin e Vizave për Kosovën ngërthen një numër më të madh të parakushteve në krahasim me udhërrëfyeset e shteteve të rajonit. Një ndër to është edhe parakushti për përfundimin e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi ku parakushti i njëjtë nuk iu ishte vendosur këtij shteti në procesin e liberalizimit të vizave.
Mentor Vrajolli, Hulumtues i Lartë i QKSS-së prezantoi gjetjet e hulumtimit duke u fokusuar në notimin e progresit për secilën strategji veç e veç (të cilën mund ta gjeni në raport).
Në emër të Ministrisë së Integrimeve Evropiane (MIE) panelist ishte Besnik Vasolli, Koordinator Teknik për Liberalizimin e Vizave. Vasolli shpalosi progresin e arritur deri më tani në implementimin e parakushteve duke dhënë informacione të përditësuara lidhur me implementimin e strategjive të reja si dhe me plotësimin e atyre ekzistuese.
Në tryezë kishte pjesëmarrës nga Qeveria, shoqëria civile, mediat, prania ndërkombëtare dhe ekspertë të pavarur.