Takimi në Drenas kundër dhunës ndaj gruas

16/09/2022

Takimi në Drenas kundër dhunës ndaj gruas

QKSS po vazhdon organizimin e takimeve me gra, përfaqësues të institucioneve të sigurisë dhe institucioneve komunale për të diskutuar rreth dhunës në familje dhe sfidat gjatë përballjes me këtë problem. Takimi i fundit u mbajt të premtën, më 16 shtator 2022, në Komunën e Drenasit.

Në takim ishin pjesëmarrës Nën Kryetari i Komunës, përfaqësues nga Policia e Kosovës, përfaqësues nga Qendra për Punë Sociale dhe aktiviste të kësaj komune. Sipas të dhënave statistikore nga Policia e Kosovës në Drenas, numri i rasteve të raportuara të dhunës në familje është ende i lartë, por me ulje qe nga koha e pandemisë. U shfaq nevoja për ngritje të vetëdijes tek qytetarët e moshave madhore për raportim të rasteve të dhunës. Problemet kryesore te potencuara ishin traditat e vjetra, xhelozia dhe kushtet e vështira ekonomike.

Zyrtarët nga Qendra për Punë Sociale vënë fokus në vështirësinë që ata hasin për shkak të kontradiktave ligjore në mes të ligjit për familje dhe ligjit për dhunën në familje. Më tej u diskutua asistenca sociale dhe mënyrat se si komuna mund të kontriboj në punën e kësaj qendre.

Gjatë diskutimit, është vërejtur dëmi i krijuar nga mediat kur ata shkelin konfidencialitetin e viktimave të dhunës në familje apo asaj seksuale. Qytetarët shprehën brengat e tyre për rastet recidiviste dhe dhanë sygjerime për një komunë më të sigurtë.

Ky aktivitet përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.