Raport i ri skenarësh nga QKSS paraqet zhvillime të mundshme për politikën e jashtme dhe të sigurisë së vendit

18/09/2025

Raport i ri skenarësh nga QKSS paraqet zhvillime të mundshme për politikën e jashtme dhe të sigurisë së vendit

Prishtinë, 18 shtator 2025 — Ku do të jetë Kosova në vitin 2030? A do të jetë në rrugën e anëtarësimit në BE dhe NATO dhe të bashkëpunimit rajonal, e ngecur në një cikël stagnimi, apo përballë izolimit dhe paqëndrueshmërisë?

Një raport i ri i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) me titull “Kosova 2030: Skenarë të mundshëm për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë” diskuton tre rezultate apo të ardhme të ndryshme të politikës së jashtme dhe të sigurisë së vendit, të cilat formësohen nga vendimmarrjet e brendshme, reformat, dialogu për normalizim me Serbinë dhe angazhimi e përafrimi i Kosovës me komunitetin euroatlantik.

Raporti paraqet një skenar optimist, ku Kosova konsolidon shtetësinë e saj, siguron statusin e vendit kandidat për BE, anëtarësimin në Këshillin e Evropës (KiE), avancimin e marrëdhënieve me NATO-n si pjesë e Partneritetit për Paqe, dhe integron serbët në veri përmes institucioneve funksionale. Një skenar status-quo trajton stagnimin, ku krizat politike dhe polarizimi, reformat e gjysmuara dhe integrimi euroatlantik i ngadalshëm ose i bllokuar mbizotërojnë. Skenari pesimist paralajmëron për izolim dhe paqëndrueshmëri të rritur nëse Kosova dështon të menaxhojë ndarjet e brendshme dhe presionet e jashtme.

Një seksion “wild card” eksploron gjithashtu sesi vendimet e Dhomave të Specializuara mund të ndikojnë zhvillimet dhe trajektoren e Kosovës — qoftë duke nxitur paqëndrueshmëri, qoftë duke frymëzuar një transformim pozitiv në marrëdhëniet e Kosovës me komunitetin euroatlantik.

“Ky raport është një mjet për vendimmarrësit dhe jo një parashikim,” tha Mentor Vrajolli, Drejtor Ekzekutiv i QKSS. “Kosova ka zgjedhje për të bërë. Vitet e ardhshme mund të forcojnë kredencialet tona demokratike dhe të sigurisë, ose të thellojnë polarizimin dhe pasigurinë. Synimi ynë është t’u ofrojmë politikbërësve dhe qytetarëve një hartë të rreziqeve dhe mundësive që na presin.”

Skenarët nënvizojnë dy faktorë kryesorë që do të përcaktojnë Kosovën deri më 2030: dialogun e lehtësuar nga BE për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe përparimin e Kosovës në integrimin në BE dhe NATO. Të dyja janë të ndërlidhura dhe suksesi në njërën mund të hapë rrugën për tjetrën.

Ramadan Ilazi, Drejtor i Hulumtimit në QKSS dhe autor i raportit, tha se: “Pesë vitet e ardhshme do të jenë vendimtare. Radhitja e saktë e hapave është thelbësore, dhe marrja e vendimeve të vështira në vend, mënyra se si vazhdojmë të qasemi ndaj situatës në veri të Kosovës, e kombinuar me angazhimin konstruktiv në dialogun me Serbinë, mund të hapë derën e integrimit euroatlantik. Por veprimet e pa koordinuara, rënia në performancën demokratike rrezikojnë ta shtyjnë Kosovën drejt stagnimit, apo edhe më keq, drejt pasigurisë dhe izolimit në rritje.”

Raporti thekson gjithashtu rëndësinë e kohezionit politik të brendshëm. Polarizimi politik, fragmentimi institucional dhe mungesa e bashkëpunimit ndërmjet partive politike përshkruhen si faktorë që mund të minojnë besueshmërinë e Kosovës tek partnerët ndërkombëtarë, edhe nëse kushtet e jashtme mbeten të favorshme.

Në të njëjtën kohë, theksohet se Kosova nuk është pa agjenci. Ndërtimi i besueshmërisë përmes reformave, thellimi i partneriteteve me vendet anëtare të NATO-s dhe angazhimi konstruktiv në bashkëpunimin rajonal shihen si mënyra për ta shtyrë vendin drejt skenarit pozitiv.

Ramadan Ilazi paralajmëroi gjithashtu: “Vendimet e Dhomave të Specializuara në vitin 2026 do të jenë një pikë kthese. Nëse ish-udhëheqësit e UÇK-së dënohen, ekziston rreziku i rritjes së polarizimit dhe trazirave. Por nëse ata shpallen të pafajshëm ose lirohen, kjo mund të shënojë një moment ndryshimi — një mundësi për Kosovën që të kthejë faqen, të rreshtohet më fort me Perëndimin dhe të rindërtojë besimin në rrugën euroatlantike. Në të dyja rastet, ndikimi do të jetë vendimtar.”

QKSS shpreson që raporti të shërbejë si pikë referimi në debatin e vazhdueshëm për të ardhmen e Kosovës, jo vetëm në mesin e politikbërësve, por edhe në shoqërinë civile, media dhe opinionin e gjerë publik.

Raporti i plotë është i disponueshëm në faqen e internetit të QKSS.