10/04/2019
Me 8 Prill 2019, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë në bashkëpunim me organizatën Humani Centar nga Mitrovica, organizuan tryezën e radhës me komunitetin e Zveçanit me titull “Rritja e besueshmërisë dhe dialogut në mes të komunitetit të Zveçanit dhe institucioneve të zbatimit të ligjit në Kosovë”.
Qëllimi i këtij aktiviteti është ofrimi i një platforme dialoguese me qëllim rritjen e besimit dhe bashkëpunimit ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve të zbatimit të ligjit në Kosovë, me fokus në komunën e Zveçanit. Përmes takimeve të tilla, QKSS synon t'u mundësojë qytetarëve njohjen më të mirë të rolit të Policisë së Kosovës në përmirësimin e sigurisë së tyre dhe të theksojë rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të zbatimit të ligjit dhe komuniteteve lokale në arritjen e një mjedisi të sigurt.
Kjo ngjarje mblodhi qytetarë nga Zveçani dhe Mitrovica, përfaqësues nga organizatat e shoqërisë civile, mediat, Policia e Kosovës dhe ambasadat. Qytetarët patën rastin të diskutonin shqetësime të ndryshme lidhur me sigurinë e tyre publike. Për më tepër, ata kanë diskutuar rreth masave që duhet të ndërmarrë Policia e Kosovës për të përmirësuar sigurinë e qytetarëve.
Ky aktivitet u organizua në kuadër të projektit "Rritja e besueshmërisë dhe dialogu ndërmjet komuniteteve joshumicë dhe institucioneve të zbatimit të ligjit në Kosovë” i cili mbështetet nga Fondi Kanadez për Iniciativa Lokale (CFLI).