19/05/2026
QKSS zhvillon diskutim mbi sigurinë në shkolla në Gjimnazin “Ulpiana” në Lipjan
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) zhvilloi diskutimin e radhës në Gjimnazin “Ulpiana” në Lipjan, në kuadër të projektit “Brezi i rrezikuar: Trajtimi i kriminalitetit tek të rinjtë dhe siguria në shkolla përmes hulumtimit dhe reformimit të bazuar në evidenca”.
Diskutimi u mbështet në gjetjet e pyetësorit të realizuar me nxënësit e shkollës, ku u evidentuan disa prej sfidave kryesore që lidhen me sigurinë dhe mirëqenien e të rinjve në mjediset shkollore.
Gjetjet tregojnë se konfliktet shpesh lidhen me rrjetet sociale, ngacmimet për pamjen fizike dhe presionin nga bashkëmoshatarët. Po ashtu, nxënësit theksuan nevojën për më shumë mbështetje psikologjike, mbikëqyrje dhe mekanizma më të besueshëm raportimi.
Gjatë diskutimit u theksua rëndësia e krijimit të një mjedisi më të sigurt dhe më gjithëpërfshirës për të rinjtë, përmes bashkëpunimit ndërinstitucional dhe qasjeve parandaluese të bazuara në evidenca.
Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të projektit “Brezi i rrezikuar: Trajtimi i kriminalitetit tek të rinjtë dhe siguria në shkolla përmes hulumtimit dhe reformimit të bazuar në evidenca”, zbatuar nga QKSS në bashkëpunim me Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), me mbështetje nga Open Society Foundations – Western Balkans.