QKSS publikon raportin “Menaxhimi i pandemisë COVID-19 në Kosovë”

28/03/2023

QKSS publikon raportin “Menaxhimi i pandemisë COVID-19 në Kosovë”

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë publikoi sot, me datë 28 Mars 2023, raportin “Menaxhimi i pandemisë COVID-19 në Kosovë” në kuadër të konferencës së titulluar “Mësimet e nxjerra nga pandemia COVID-19 në Kosovë”.

Raporti ofron një pasqyrë të përgjithshme të manifestimit të pandemisë COVID-19 në Kosovë dhe menaxhimin e përgjithshëm të pandemisë nga institucionet përkatëse. Ndër të tjera, raporti i shtjellon mangësitë sistemike dhe joefikasitetin në gatishmërinë e Kosovës për t'iu përgjigjur krizës në fjalë, procesin e furnizimit dhe administrimit të vaksinave kundër COVID-19, paqëndrueshmërinë politike si pasojë e zgjedhjeve të parakohshmë lokale dhe parlamentare, si dhe kërcënimet nga lajmet e rreme dhe dezinformatat gjatë pandemisë.

Gjatë konferencës lansuese të raportit u zhvillua një diskutim i përbashkët me përfaqësues të shoqërisë civile lidhur me sfidat dhe mësimet e nxjerra nga pandemia COVID-19 në Kosovë. Saranda Ramaj, gazetare hulumtuese në fushën e shëndetësisë në mediumin KOHA, theksoi se ndër aspektet pozitive të menaxhimit të pandemisë nga institucionet e vendit ka qenë sistemi informativ shëndetësor, përmes të cilit është bërë administrimi efektiv i vaksinave. Në anën tjetër, sfidë e madhe për sektorin e shëndetësisë në Kosovë, sipas saj, mbetet largimi i punetorëve shëndetësorë nga sektori publik tek ai privat. Në anën tjetër, ekspertja e prokurimit publik dhe njëherit menaxhere e programit në Institutin e Kosovës për Demokraci, Diana Metushi-Kransiqi, foli për mungesën e transparencës në proceset e prokurimit emergjent të pajisjeve mbrojtëse gjatë pandemisë, informata këto të cilat as sot nuk janë të disponueshme për publikun. Pjesëmarrësit në konferencë ngriten cështje të tjera të rëndësishme, përfshi këtu zbehjen e kulturës së llogaridhënies në sektorin e shëndetësisë dhe mungesën e një strategjie gjithëpërfshirëse të komunikimit gjatë krizave apo emergjencave kombëtare.

Raporti “Menaxhimi i pandemisë COVID-19 në Kosovë” u publikua në kuadër të projektit rajonal “Mundësimi i Ndryshimit të Drejtë në Qeverisjen Ndërkombëtare të Sistemit Shëndetësor - Pandemia COVID-19 dhe Mësimet e Nxjerra nga Ballkani Perëndimor” në bashkëpunim me Qendrën e Beogradit për Politika të Sigurisë dhe i financuar nga Fondi Rockefeller Brothers.