10/03/2026
Të martën, më 10 mars 2026, QKSS organizoi një sesion informues mbi diskutimet e zhvilluara gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih (MSC), e cila u mbajt më 13–14 shkurt në Mynih, Gjermani. Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Sh.T. Rainer Rudolph, i cili mori pjesë në këtë edicion të MSC-së, iu bashkua takimit dhe ndau reflektime mbi disa nga dinamikat kryesore që u shfaqën gjatë konferencës dyditore, përfshirë edhe disa vëzhgime që kanë rëndësi për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile në Kosovë shfrytëzuan këtë mundësi për t’u informuar më shumë rreth diskutimeve në MSC, si dhe për të shkëmbyer pikëpamje mbi zhvillimet aktuale politike në vend. Takimi u mbajt sipas Rregullit të Chatham House.
Megjithëse Ballkani Perëndimor nuk ishte në fokusin kryesor të konferencës së svijetme – duke pasur parasysh theksin më të gjerë në temën e “shkatërrimit” të rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla – gjithsesi, disa elemente ofruan konkluzione të rëndësishme për rajonin. Në kuadër të diskutimeve mbi ndryshimet brenda partneritetit transatlantik, pjesëmarrësit theksuan se momentumi aktual mund të shërbejë gjithashtu si një sinjal i rëndësishëm për Bashkimin Evropian që të avancojë integrimin e bazuar në meritë të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në të njëjtën kohë, u theksua se ky momentum duhet të jetë reciprok dhe të shoqërohet me përpjekje të vazhdueshme nga vetë vendet e rajonit. Disa pjesëmarrës gjithashtu theksuan se paqartësia e vazhdueshme rreth procesit të zgjerimit ka ndikuar në klimën e përgjithshme, duke nënvizuar nevojën që zgjerimi të trajtohet jo vetëm si çështje e politikës së jashtme, por edhe si një çështje e lidhur ngushtë me sigurinë evropiane.
Në kontekstin e Kosovës, stabiliteti politik u theksua si një faktor i rëndësishëm që ndikon në aftësinë e vendit për të absorbuar dhe zbatuar në mënyrë efektive iniciativat dhe marrëveshjet ekzistuese, përfshirë edhe Planin e Rritjes. Në këtë drejtim, pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e njohjes dhe shfrytëzimit të plotë të mekanizmave dhe mundësive ekzistuese të financimit.
Në fund, vëmendje iu kushtua edhe Dialogut Kosovë–Serbi, i cili mbetet i rëndësishëm jo vetëm për avancimin e pajtimit dhe normalizimit të marrëdhënieve, por edhe për të demonstruar pjekuri politike në një kontekst të karakterizuar nga polarizimi, si në nivel vendor ashtu edhe në atë rajonal dhe global. Hyrja në fuqi e paralajmëruar e ligjit për të huajt dhe automjetet gjatë këtij muaji u diskutua gjithashtu, veçanërisht në lidhje me implikimet e mundshme për jetën e përditshme të serbëve të Kosovës dhe për procesin më të gjerë të normalizimit të marrëdhënieve të udhëhequr nga Brukseli. Sa i përket zhvillimeve të brendshme politike në vend, pjesëmarrësit reflektuan gjithashtu mbi paqartësitë që lidhen me zhvillimet institucionale rreth zgjedhjes së Presidentit, duke vënë në dukje se situata aktuale ngre pikëpyetje nëse vendi mund të përballet sërish me një ngërç institucional dhe cilat mund të jenë implikimet e tij.