5/11/2019
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) në bashkëpunim me Institutin holandez Clingendael dhe Ambasadën e Republikës së Kosovës në Holandë, më 4 nëntor 2019, kanë organizuar në Hagë konferencën mbi temën e perspektivës së Kosovës për integrim në BE.
Panelistë të këtij diskutimi ishin Kryesuesi i Bordit të QKSS, Dr Florian Qehaja, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Integrimit Evropian në Qeverinë e Kosovës, z. Kushtrim Cukaj dhe Ligjëruesi në Universitetin e Utrech-it, Dr Kushtrim Istrefi. Ndërsa, pjesëmarrës të kësaj konference ishin përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Holandës, përfaqësues diplomatikë të akredituar në Hagë, organizata të shoqërisë civile dhe ish-diplomatë holandezë që kanë shërbyer në Ballkan.
Diskutimi ishte i fokusuar në çështjen e sundimit të ligjit, dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën. Për më tepër, pjesëmarrësit kontribuan në mënyrë aktive në debat duke paralajmëruar se lodhja e BE-së për t’u zgjeruar me shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe mos-liberalizimi i vizave për Kosovën nga ana e BE-së mund të shkaktojë ndërlikime të rënda për stabilitetin e rajonit. Në këtë drejtim, gjatë diskutimit u shtrua nevoja për një strukturim më të mirë të mbështetjes së BE-së dhe shteteve të saj anëtare për të zvogëluar potencialin e ndikimit të shteteve të treta dhe për të rritur besimin ndaj BE-së.
Kjo konferencë ishte mbajtur sipas rregullave Chatham House dhe ishte mbështetur nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur në kuadër të QKSS-së "Ndërtimi i urave: Evropianizimi përnes rritjes së bashkëpunimit në mes të QKSS dhe think-tankeve në BE".