QKSS merr pjesë në Dialogun e Tretë Shoqëria Civile–OKB për Ndërtimin e Paqes

11/12/2025

QKSS merr pjesë në Dialogun e Tretë Shoqëria Civile–OKB për Ndërtimin e Paqes

Gjenevë, 10–11 Dhjetor 2025: Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (KCSS) po merr pjesë—për të tretin vit radhazi—në Dialogun ndërmjet Organizatave të Shoqërisë Civile (OShC) dhe Kombeve të Bashkuara (OKB) për Ndërtimin e Paqes, i cili po mbahet në Palais des Nations në Gjenevë. Dialogu i këtij viti fokusohet në operacionalizimin e qasjes gjithëpërfshirëse për ndërtimin e paqes, me temat kryesore “Gratë, Paqja dhe Siguria” (WPS) dhe “Rinia, Paqja dhe Siguria” (YPS).

KCSS përfaqësohet nga Përgjegjësi për Hulumtime, Dr. Ramadan Ilazi, i cili gjithashtu ka moderuar sesionin e veçantë për Evropën Lindore, duke kontribuar me mësime rajonale dhe rekomandime konkrete për koherencën ndërmjet shtyllave të paqes, të drejtave të njeriut, zhvillimit dhe humanizmit.

Angazhimi i QKSS në Gjenevë lidhet drejtpërdrejt me Dialogun Rajonal të Shoqërisë Civile për Ballkanin Perëndimor, i bashkë-organizuar nga QKSS me CMI – Martti Ahtisaari Peace Foundation në Prishtinë më 25–26 Nëntor 2025. Këto konsultime mblodhën liderë të shoqërisë civile dhe akterë të OKB-së nga rajoni për të identifikuar pika praktike për veprim të integruar—veçanërisht përmes GPS/WPS (Gratë, Paqja dhe Siguria) dhe RPS/YPS (Rinia, Paqja dhe Siguria)—dhe për të forcuar bashkëpunimin mes shoqërisë civile dhe OKB-së. Përmbledhjet kryesore nga Prishtina po përcillen në Dialogun global për të siguruar që prioritetet e Ballkanit Perëndimor të informojnë vendimmarrjen në OKB.

QKSS merr pjesë në Dialogun e Gjenevës si pjesë e rrjetit të European Peacebuilding Liaison Office (EPLO), duke forcuar angazhimin tonë për politika të bazuara në evidencë, bashkëpunim rajonal dhe integrim operacional në arkitekturën evropiane të paqes dhe sigurisë.

Dialogu vjetor i Shoqeria Civile - OKB, i iniciuar nga Peacebuilding Support Office (PBSO) i OKB-së, mbledh shoqërinë civile dhe partnerët shumëpalësh për të harmonizuar kornizat globale me realitetet lokale, për të forcuar llogaridhënien dhe mësimin, si dhe për të avancuar financimin e qëndrueshëm për ndërtimin e paqes.