Publikim i raportit: Perceptimet e qytetarëve në Kosovë dhe Serbi për Dialogun Politik dhe Identitetin

1/02/2021

Publikim i raportit: Perceptimet e qytetarëve në Kosovë dhe Serbi për Dialogun Politik dhe Identitetin

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka publikuar më 1 shkurt 2021 (sot) raportin “Rruga drejt marrëveshjes finale?” në konferencën e mbajtur në Prishtinë. Në raport prezantohen rezultatet e anketës së bërë në Kosovë e Serbi për mendimet e të anketuarve në të dyja vendet lidhur me dialogun Kosovë-Serbi në kuadër të Barometrit të Sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

Sipas rezultateve, shumica e qytetarëve të Kosovës (68%) dhe të Serbisë (51%) mbështesin procesin e dialogut, megjithatë kanë perceptime diametralisht të kundërt mbi arritjet e dialogut. Derisa shumica e qytetarëve të Kosovës besojnë se qëllimi i dialogut është njohja reciproke në kufijtë ekzistues (77%), në Serbi ekziston perceptimi se qëllimi i këtij procesi është kthimi i Kosovës në Serbi me një autonomi më të gjerë (48%).

Të anketuarit në Kosovë e Serbi kryesisht kanë perceptime negative për procesin e dialogut, transparencën e këtij procesi dhe ndikimin e tij. Andaj, shumica e qytetarëve të Kosovës (77%) dhe të Serbisë (82%) mendojnë se dialogut i mungonte transparenca, se nuk ka ndryshuar asgjë në marrëdhëniet e të dyja vendeve (në Kosovë 60%, në Serbi 71%) ose se vetë qytetarët nuk kanë pasur ndonjë përfitim nga procesi (në Kosovë 80% dhe në Serbi 92%). Kjo tregon për një mangësi të konsiderueshme të transparencës dhe komunikimit të BE-së, por edhe të qeverive të Kosovës e Serbisë me qytetarët e të dyja vendeve.

Qytetarët e Serbisë janë pesimistë në krahasim me qytetarët e Kosovës për të ardhmen e marrëdhënieve midis dy vendeve. Shumica e serbëve (63%) nuk presin të shohin normalizimin e marrëdhënieve me shqiptarët e Kosovës pavarësisht rezultatit të dialogut, ndërsa qytetarët e Kosovës (43% sosh) janë më optimistë me kushtin që raportet me Serbinë do të normalizohen vetëm nëse arrihet marrëveshja Kosovë-Serbi. Për më tepër, pothuajse shumica e qytetarëve të Kosovës (48%) mendojnë se marrëveshja finale me Serbinë do të arrihet brenda 3-5 viteve të ardhshme, ndërsa më tepër se gjysma e të anketuarve në Serbi (53%) janë deklaruar se marrëveshja me Kosovën kurrë nuk do të arrihet.

Nga ana tjetër, të anketuarit kosovarë janë shprehur kategorikisht kundër idesë së shkëmbimit të territoreve (89%) dhe krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe (83%). Pos kësaj, shumica e të anketuarve (58%) nuk kanë njohuri se çfarë është ideja e Mini Shengenit dhe rrjedhimisht shumica prej tyre janë shprehur kundër krijimit të Mini Shengenit (53%). Në rast të mosarritjes së marrëveshjes së Serbisë, më shumë se gjysma e të anketuarve (70%) janë shprehur se kjo do të kishte pasojë negative për Kosovën. Ndërsa, rreth 80% e të anketuarve mendojnë se për anëtarësimin e Kosovës në BE është e nevojshme të arrihet marrëveshja me Serbinë.

Anketa në Kosovë është realizuar në datat 25 shtator – 2 tetor 2020 dhe janë anketuar 1,132 qytetarë mbi moshën 18 vjeç në të gjitha rajonet e Kosovës. Në Kosovë, projekti është duke u zbatuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) dhe në Serbi nga Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë (BCSP) me mbështetja fondacionit amerikan, National Endowment for Democracy (NED).

Publikimin e gjetjeve mund t'a shihni KËTU

Raportin mund t'a gjeni më poshtë në tre gjuhë: Shqip, Serbisht dhe Anglisht

Perceptimet e qytetarëve në Kosovë dhe Serbi për Dialogun Politik dhe Identitetin

STAVOVI GRAĐANA NA KOSOVU I U SRBIJI O POLITIČKOM DIJALOGU I IDENTITETU

Perception on Kosovo - Serbia Dialogue and Identity issues