PRONËSIA VENDORE DHE BASHKËPUNIMI NDËRMJET INSTITUCIONEVE VENDORE DHE NDËRKOMBËTARE NË KOSOVË

2/11/2017

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) më 2 nëntor 2017 ka mbajtur konferencën me temën “Pronësia vendore dhe bashkëpunimi ndërmjet institucioneve vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë” ku është diskutuar rolin e bashkësisë ndërkombëtare në sektorin e sigurisë në Kosovë dhe zhvillimin e pronësisë vendore në kuadër të institucioneve të sigurisë në vend.

Kjo është konferenca e parë që QKSS organizon në Prishtinë në kuadër të projektit PeaceTraining.eu si pjesë e programit Horizon 2020 të Komisionit Evropian. Për më tepër, QKSS si institut hulumtues i specializuar në sektorin e sigurisë është partner i këtij projekti krahas universiteteve, organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve publike të vendeve të ndryshme të Evropës.

Në konferencë është diskutuar në dy panele për administrimin ndërkombëtar në Kosovë, me theks të veçantë në ngritjen e institucioneve të sigurisë gjatë periudhës 1999-2008, kontributin e misioneve ndërkombëtare në Kosovë si dhe zhvillimin e konceptit të pronësisë vendore në institucionet e sigurisë prej vitit 2008 dhe deri më tash. Një nga përfundimet kyçe të konferencës ishte se reformimi i sektorit të sigurisë në Kosovë mbetet ende sfidues edhe si pasojë e moszbatimit të rekomandimeve të dala nga Analiza e Rishikimit Strategjik të Sektorit të Sigurisë në Kosovë.

Panelistë në këtë konferencë ishin përfaqësues të shquar që kanë kontribuar në forma të ndryshme në sektorin e sigurisë në Kosovë: Ismail Smakiqi – Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, Kolonel Rui Esteves – KFOR, Garentina Kraja – njohëse e çështjeve të sigurisë, Rexhep Selimi – zv/kryetar i Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri i Kuvendit të Kosovës si dhe Pëllumb Kallaba – njohës i çështjeve të sigurisë.

Gjithashtu, në konferencë ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve të sigurisë në Kosovë, misionet ndërkombëtare që janë të pranishme në vend dhe ekspertë të sigurisë. Krahas kësaj në konferencë kanë kontribuar edhe përfaqësues nga Universiteti KU Leuven i Belgjikës dhe nga Instituti për Hulumtimin e Konflikteve (ICR) i Irlandës Veriore që janë partnerë në këtë projekt.