29/11/2016
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka organizuar tryezën e diskutimit me temën “Privatizimi i Sektorit të Sigurisë në Kosovë: Zhvillimi, Mandati dhe Mbikëqyrja e Sektorit Privat të Sigurisë”. Ky diskutim kishte për qëllim të i përgjigjet një sërë pyetjesh se si duhet të rregullohet sektori privat i sigurisë, kush do ta mbikëqyr këtë sektor, dhe se sa do të rritej siguria publike nëse kompanitë private të sigurisë dhe policia e Kosovës do të kishin bashkëpunim më të fortë.
Hulumtimet e QKSS-së tregojnë se edhe pse sektori privat i sigurisë në Kosovë u shfaq pothuajse në të njëjtën kohë së bashku me policinë e Kosovës, zhvillimi i tij nuk ka ndjekur të njëjtën rrugë premtuese. Në fakt, si një nga institucionet më të rëndësishme të shtetit, policia ka bërë hapa të konsiderueshëm në zhvillimin e saj. Gjithsesi, kjo gjë nuk ka ndodhur me sektorin privat të sigurisë.
Stafi i kompanive privatë të sigurisë aktualisht numëron më shumë se 6,500 punonjës. Prania në treg e KPS-ve është në rritje si në zonat rurale ashtu edhe ato dhe urbane dhe kjo ka rezultuar në rritje të mëtejshme të numrit të njësive të tyre. Kjo rritje nxit nevojën e rivlerësimit të rolit të aktorëve privatë e publikë të sigurisë në Kosovë.
Mentor Vrajolli nga QKSS thekoi nevojën për rregullim më të mirë të këtij sektori, me theks të veçantë në mbështetjen që institucionet e Kosovës duhet të i japin divizionit për kompani private të sigurisë. Kurse, bashkëpunimi KPS – Polici e Kosovës, edhe pse qëndron në nivel të kënaqshëm, shumë shpesh dështimi për një bashkëpunim më të mirë ka rezultuar në fatalitet, siç është pra, rasti në Albi Mall, ku ka humbur jetën një person i cili ka pasur për qëllim ta ndaloi vjedhjen.
Një bashkëpunim më i mirë në mes të KPS-ve dhe policisë, jo vetëm që do të ngriste nivelin e sigurisë në vend, por edhe do të kontribuonte në përmirësimin e perceptimit për sektorin privat të sigurisë. Si pasojë, takime të rregullta në mes të policisë së Kosovës dhe KPS-ve janë të domosdoshme, në mënyrë që të sigurohet një bashkëpunim jo vetëm ne preventivë, por edhe në identifikimin e pikave të ndjeshme për siguri në Kosovë.
Në tryezë u theksua se bashkëpunimi mes kompanive të sigurimeve dhe Policisë duhet të jetë më i mirë dhe duhet të jetë i drejtpërdrejtë, me një marrëveshje në mes të dy palëve e cila duhet të rregullohet me ligj. Gjithashtu është identifikuar nevoja që KPS- të përfshihen në takimet e rregullta të Këshillave Komunale për Siguri në Bashkësi si kontribuues për siguri publike. Kurse me hartimin e strategjisë për policimin e udhëhequr nga inteligjenca ekziston një mundësi për KPS-të që të bëhen edhe më relevant në Kosovë.