PËRGJIGJE VËSHTRIMIT KRITIK QË STEPHEN SHWARTZ KA BËRË PËR RAPORTIN E QKSS-SË PËR KOSOVARËT QË LUFTOJNË NË SIRI DHE IRAK.

16/05/2015

PËRGJIGJE VËSHTRIMIT KRITIK QË STEPHEN SHWARTZ KA BËRË PËR RAPORTIN E QKSS-SË PËR KOSOVARËT QË LUFTOJNË NË SIRI DHE IRAK.

Një përgjigje ndaj vështrimit kritik që Stephen Shwartz ka bërë për raportin e fundit të QKSS-së për kosovarët që luftojnë në Siri dhe Irak i është dërguar "The Weekly Standard" ku fillimisht z. Shwartz ka botuar vështrimin e tij kritik për raportin. Përgjigja i është dërguar me 30 prill 2015, mirëpo "The Weekly Standard" nuk e ka botuar atë, por as nuk ka dhënë ndonjë arsye për këtë. Autori i raportit në fjalë ka tentuar t'i kontaktojë ata nëpërmjet emailit përsëri me 7 maj 2015, mirëpo sërish nuk pati përgjigje. Autori i raportit i ka thirrur në telefon zyrat e "The Weekly Standard" në Washington D.C. dy herë me 13 maj 2015, mirëpo askush nuk është përgjigjur. Si rezultat, jemi të detyruar ta botojmë përgjigjën e Shpend Kursanit drejtuar Stephen Shwartz-it në uebfaqën tonë, tekstin e të cilit mund ta gjeni më gjerësisht më poshtë.

Përgjigje vështrimit kritik që Stephen Shwartz ka bërë për raportin e QKSS-së për kosovarët që luftojnë në Siri dhe Irak.

Nga: Shpend Kursani

Me 20 prill 2015, Stephen Shwartz, themeluesi i Qendrës për Pluralizëm Islamik, ka botuar vështrimin e tij kritik për raportin "mbi shkaqet dhe pasojat e përfshirjes së qytetarëve të Kosovës si luftëtarë të huaj në Siri dhe Irak" i shkruar nga unë dhe i botuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS). Një vështrim kritik për një raport të tillë të gjerë ishte shumë i nevojshëm. Mirëpo, fatkeqësisht, vështrimi i z. Shwartz ka dështuar që në mënyrë të sinqertë t'i adresojë boshllëqet e mundshme të studimit, dhe në vend të kësaj është njollosur me një numër të shkarjeve argumentuese, dhe në shumicën e rasteve ka dështuar të paraqesë prova për shumë nga pohimet që i bënë.

Vitin e kaluar, Sean Hannity-i Fox News-it ka pritur për mysafir Cornel West, një intelektual publik amerikan, për të folur në lidhje me konfliktin mes Izraelit dhe Gazës. Pas shumë mospajtimeve me Cornel West-in, siç mund ta paramendon dikush, Sean Hannity i dha fund emisionit duke i thënë West-it, "nuk e di pse më pëlqen, por më pëlqen. Më pëlqen, nuk kam çka të bëjë për këtë". Është saktësisht ky skenar i këtij emisioni që mu kujtua kur me kujdes lexova vështrimin e z. Shwartz, i cili ndiqte logjikën si në vijim: "Nuk e di pse nuk pajtohem, por nuk pajtohem. Nuk pajtohem, nuk kam çka të bëjë për këtë".

Kur shikohet numri i luftëtarëve të huaj që iu kanë bashkangjitur një numri të grupeve rebele në Siri nga secili shtet, shumë raporte, kryesisht të prodhuara nga institute të hemisferës perëndimore, përdorin numrin e luftëtarëve të huaj për kokë banori për të renditur shtetet në mënyrë më të saktë në bazë të asaj se cili nga këto shtete është prekur më së shumti nga ky fenomen. Përveç renditjes së shteteve në bazë të kësaj logjike, QKSS-ja ka marrë edhe një hap më shumë duke bërë renditjen e shteteve në bazë të numrit të luftëtarëve të huaj për kokë banori në proporcion me popullsitë e tyre respektive myslimane. Z. Shwartz me të drejtë citon argumentimet e raportit se pse është përdorur kjo logjikë për të renditur shtetet, mirëpo, në vështrimin e tij kritik, z. Shwartz pohon se kjo është kontradiktore, duke mos e dhënë as të vetmin argument për një pohim të tillë, thjeshtë ai thotë se "s'ka befasi këtu". Njëri duhet befasuar, megjithatë, se pse z. Shwartz nuk e jep as të vetmin argument për ta mbështetur pohimin e tij kur thotë se kjo është kontradiktore.

Duket se qëllimi kryesor i z. Shwartz është të demonstrojë se raporti gjoja është shfajësues ndaj radikalizmit dhe ekstremizmit fetar. Për ta bërë këtë, për shembull, z. Shwartz citon raportin si në vijim, "idetë e dhunshme ekstremiste në Kosovë janë përqafuar nga një grup i vogël njerëzish, në krahasim me numrin e popullsisë", dhe duke u përpjekur ta mbështesë argumentin e tij ai e lë pjesën vijuese të fjalisë jashtë citimit, i cili në raport vijon me "... duke pasë parasysh parimet e tyre ideologjike, ata ende mund të përbëjnë një kërcënim për institucionet shtetërore dhe qytetarët e saj". Një vërejtje tjetër që e jep z. Shwartz është se ai thotë që "dokumenti përdorë DeLong-Bas-in shumë shpesh për ta përmirësuar imazhin e Vehabizmit". Këtu, z. Shwartz bënë shkarje argumentuese ad-hominem sepse ai nuk merret me të gjeturat e DeLong-Bas-it, por e etiketon atë si "akademike famëkeqe amerikane shfajësuese e Vehabizmit". Po ashtu, nëse dikush e lexon raportin me kujdes, DeLong-Bas është e vetmja akademike e cila citohet si burim  në mesin e shumë burimeve tjera që përdoren në raport e të cilat kanë qëndrime negative ndaj Vehabit dhe Vehabizmit. Raporti e ka përdorur DeLong-Bas-in si biografe të Vehabit nga Universiteti Georgtown në Washington D.C., edhe pse ka shumë akademikë perëndimorë të tjerë të cilët kanë shkruar gjerësisht mbi mitet që rrethojnë Vehabin si individ, dhe jo Vehabizmin si lëvizje - e që ka dallime të mëdha mes këtyre dyjave. Duke përdorur vetëm një burim i cili nuk ka qasje negative ndaj Vehabit, në mesin e shumë burimeve tjera në raport që kanë qëndrime negative ndaj Vehabit dhe Vehabizmit, në fakt paraqet një dëm të madh në qasjen shkencore të raportit. Ndoshta është dashur që të përdori më shumë "DeLong-Bas-ë" tjerë perëndimorë për t'i balancuar burimet pozitive dhe negative për Vehabin. Kështu që pikëpamjet e z. Shwartz mbi Vehabin - pra ato negative - janë shumëfish të përfaqësuara në raport kur ato krahasohen me burimin e vetëm që ka pikëpamje pozitive ndaj Vehabit me të cilin burim të përdorur z. Shwartz lobon për t'i mbështetur pohimet e tij për raportin. Se pse z. Shwartz nuk merret me pikëpamjet e tij për Vehabin - pra ato negative - që paraqiten shumë më shumë në raport, mbetet e panjohur.

Z. Shwartz e quan kontradiktorë faktin që raporti merret me ndërveprimin ndërmjet importit të ideve ekstremiste në Kosovë (ndikimet e jashtme) në njërën anë, dhe shpjegimet sociologjike (kushtet e brendshme) në anën tjetër, për të shpjeguar se pse dhe si dikush përqafon idetë ekstremiste. Mirëpo, këtu sërish z Shwartz nuk e jep as të vetmin argument për ta mbështetur pohimin e tij, se pse kjo kishte me qenë kontradiktore. A mos z. Shwartz beson se thjeshte një prani e një ideje mjafton për të shpjeguar përqafimin e një ideje të caktuar? Mbetet e panjohur. Ne fakt, ka qenë e pritshme që një raport i cili nuk adopton lexim esencialist të fenomenit do t'i destabilizojë disa predikate esencialiste të vendosura deri sot. Veç kësaj, vështrimi kritik thotë, në mënyrë intriguese, se raporti "justifikon dobishëm ekstremizmin mysliman" sepse merr për faktorë "ndikimet e brendshme në nivel shoqëror, familjar, dhe individual" për të shpjeguar përqafimin që kosovarët i bëjnë ideve të importuara ekstremiste në Kosovë. Se si z. Shwartz arrin tek një konkluzion i tillë është mahnitëse.

Z. Shwartz i shqyen dhe i copëton pohimet e tij për "shfajësimin" që gjoja raporti po i bëka ekstremizmit kur ai fillon të merret me rekomandimet e raporti se si të luftohet ekstremizmi. Si mundet dikush ta shfajësojë ekstremizmin në njërën anë, e të rekomandojë se si të luftohet ekstremizmi në anën tjetër? Përveç kësaj, vështrimi kritik nuk dështon të më çudisë kur ai kritikon rekomandimin e raportit i cili thotë se autoritetet shtetërore dhe strukturat tjera shoqërore duhet të adoptojnë qasje përfshirëse, që z. Shwartz e emërton si qasje "të butë" për ta luftuar fenomenin. Z. Shwartz kritikon raportin në mënyrë të egër për faktin se raporti nuk ka rekomanduar që Shtetet e Bashkuara të përdorin po ato resurse që ka përdorur kur e ka ndihmuar Kosovën të çlirohet nga Serbia në 1999-ën. Dmth ai sugjeron që është dashur të rekomandohen bombat (tash dronët), tanket, snajperët, ushtarët, dhe gjëra të ngjashme si zgjidhje e ideve ekstremiste në Kosovë. Më duhet të supozoj që z. Shwartz është nga pak njerëz, nëse jo i vetmi, që ka mbetur në botë që beson se intervenimi i ashpër në Irak mes viteve 2003-2013 ka qenë i suksesshëm, dhe se ISIS-i ka dalë nga ndonjë mendim strategjik i myslimaneve sunitë duke jetuar në paqe në Sham. Atij po ashtu krejtësisht i mungon kuptimi i kontekstit në Kosovë, dhe të gjeturave të raportit në këtë drejtim, e që është një befasi.

Veç kësaj, vështrimi kritik vë në pikëpyetje qasjen "reintegruese dhe rehabilituese" që raporti rekomandon, duke pyetur kështu në mënyrë retorike "por nëse një mysliman ka shkuar në Siri për të luftuar për ISIS-in, si është e mundur që burgosja e atij personi ta rrisë nivelin e fanaticizmit të tij?". Z. Shwartz dështon të mendojë, e lerë më të përdorë shembuj për ndryshimet në nivelin e fanaticizmit të të burgosurve të Guantanamo-s para dhe pas burgosjes së tyre, ose edhe faktin që vetë ISIS ka lindur në qendrën e "famshme" të paraburgimit të Kampit "Bucca". Apo që vrasja e Osma bin Laden-it  nuk e ka zgjidhur problemin e ekstremizmit: nëse njëri mendon për nivelin e ekstremizmit që rrjedhë nga myslimanët sunitë të radikalizuar në Lindjen e Mesme - nga ajo që kemi pasur deri në vitin 2011 para se të vritet Osama bin Laden - dhe ajo që kemi sot (ISIS-in e pamëshirshëm që në ditët e sotme do ta bënte Osama bin Laden-in të duket si një ekstremist të zbutur). Sigurisht që raporti nuk pohon se secila burgosje prodhon pasojë të padëshiruar, mirëpo raporti fuqishëm refuzon të merret me këtë fenomen me një qasje bardh e zi. Z. Shwartz dështon ta kuptojë frymën e raportit për të prodhuar rekomandime të qarta të cilat do ta përfshinin komunitetin islam, si liberalët ashtu edhe konservatorët e pa dhunshëm, për ta luftuar ekstremizmin, dhe jo t'i bombardojmë ata pa diskriminim - çka sërish, në kontekstin e Kosovës do të ishte një qasje e çmendur në vetvete.

Vështrimi kritik bënë një gabim faktik kur thotë se "një strategji e tillë ka dështuar gjithandej ku është zbatuar, nga Arabia Saudite e deri tek Britania. Rehabilitimi i terroristëve nuk kryen punë. Hapat e rëndësishëm për t'i shkatërruar ata kryen punë". Për shembull, një raport i vitit 2010 prodhuar nga Instituti Hoover i Universitetit te Stanford-it pohon absolutisht të kundërtën e asaj çka z. Shwartz thotë për dështimin e programeve të rehabilitimit në rastin e Arabisë Saudite. Ky raport thotë se programi i rehabilitimit i Arabisë Saudite dhe metoda e tij ka qenë "i suksesshëm në mënyrë të mrekullueshme" duke pasur kështu shkallën e recidivizmit vetëm 10-20 për qind në mesin e terroristëve të rehabilituar. Po ashtu revista The Washington Post në vitin 2014 ka raportuar se vetëm 12 për qind e terroristëve të rehabilituar në Arabinë Saudite u janë kthyer terrorit. Z. Shwartz po ashtu dështon t'i lexojë burimet e raportit kur aty flitet për suksesin e shembullit të projektit rehabilitues te Danimarkës.

Z. Shwartz nuk dështon ta shpalosë qëndrimin e tij anti-Obama përgjatë vështrimit të tij kritik, duke e përfunduar atë me një thënie përbuzëse, "ata që janë përgjegjës për raportin, përfshire Ambasadën e ShBA-s në Kosovë, me botimin e këtij raporti i kanë bërë dëm popullit të Kosovës, të cilët janë aleat të Amerikës..." dhe vazhdon të thotë se "nuk do të jetë e befasishme nëse raporti injorohet ose mohohet nga shumica e popullsisë në Kosovë të cilët e kundërshtojnë ISIS-in." Në mënyrë jo të befasishme raporti në fakt ka tronditur vetëm pak njerëz në Kosovë që merren me këtë çështje (pra prej atyre që i shohin gjërat bardh e zi), për shkak të të gjeturave të reja të tij. Është ende herët për të thënë, mirëpo përderisa po shkruhet ky tekst, në përgjithësi raporti është konsideruar si njëri nga raportet më të rëndësishme të botuara në Kosovë, dhe çka është e rëndësishmja jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë rajonin e Ballkanit. Ambasada e ShBA-s ka dhënë vetëm fondet për hulumtim për qëllimet e këtij raporti dhe në asnjë mënyrë nuk e ka porositur këtë raport e as që ka pasur ndikim në analizën e tij, duke bërë kështu pohimin e z. Shwartz për reflektimet e politikës se administratës së ShBA-së në këtë raport të pasaktë. Duke qenë shumë afër komunitetit islam në Kosovë (liberalët dhe konservatorët) kryesisht për qëllimet e këtij raporti, vetëm mund të them se ky raport i ka qetësuar edhe ato pak zëra anti-Amerikane përbrenda komunitetit konservator islam në Kosovë.

Ata që e prodhuan këtë raport besojnë se në qoftë se Ambasada e ShBA-s dhe Qeveria e Kosovës i ndjekin rekomandimet e këtij raporti dhe frymën e tij të përgjithshme, kjo do të përfaqësonte ndihmën e radhës më të rëndësishme të Qeverisë Amerikane për popullin e Kosovës pas ndihmës së dhënë me intervenimin ushtarak të 1999-ës. Raporti në fakt ka marrë kritika të ashpra me konspiracione të ndryshme , siç dikush mund ta imagjinojë, dhe është shpërfillur krejtësisht nga ata që mbështesin ekstremizmin dhe vetë ISIS-in. Në anën tjetër të spektrit, ne kemi pranuar kritika interesante, me njohuri më të thella, nga njerëzit të cilët janë të interesuar të punojnë në këtë çështje dhe të merren seriozisht me kompleksitetin e tërë që ai përbën, në vend se të shpërfillet krejtësisht në mënyrë retorike.