PËRFUNDOI MODULI PËR SIGURI DHE SUNDIM TË LIGJIT - SHKOLLA PËR INTEGRIME EVROPIANE

21/12/2015

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë në datat 18 – 20 dhjetor 2015 ka organizuar punëtorinë e dytë mbi Reformën e Policisë dhe Menaxhimin e Integruar të Kufirit, në Brod, Kosovë. Kjo punëtori është organizuar në kuadër të Modulit për Siguri dhe Sundim të Ligjit që është pjesë e përpjekjeve të përbashkëta të instituteve kosovare në kuadër të platformes së përbashkët – Shkolla për Integrime Evropiane.

Moduli për Siguri dhe Sundim të Ligjit, përkatësisht punëtoria e dytë mbi Reformën e Policisë së Kosovës dhe Menaxhimin e Integruar të Kufirit u ka ofruar pjesëmarrësve:

- njohuri të përgjithshme lidhur me marrëdhëniet politike dhe të sigurisë në mes të Kosovës dhe BE-së, përfshirë këtu reformen e policisë dhe policimit në kontekst të integrimeve me BE;

- pasqyrë të plotë mbi perceptimet më të fundit të qytetarëve për institucionet shtetërore të Kosovës si dhe kërcënimet dhe rreziqet kryesore të sigurisë në Kosovë;

- njohuri mbi bashkëpunimin e Kosovës me institucionet e Sigurisë të BE-së;

- njohuri mbi arsyet e migrimit të qytetarëve të Kosovës drejt shteteve te BE-së, numrat dhe të dhëna të tjera mbi largimin dhe riatdhesimin e qytetarëve të Kosovës si dhe pasojat në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Pjesëmarrës në këtë punëtori kanë qënë një numër i përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës, duke përfshirë ato të sigurisë, drejtësisë, shoqërisë civile, mediave si dhe përfaqësues të nivelit komunal të cilët janë certifikuar pas përfundimit me sukses të të dyja punëtorive të organizuara nga QKSS në kuadër të Modulit për Siguri dhe Sundim të Ligjit. Prezantimet dhe simulimet në këtëpunëtori tri ditore kanë nxitur interest të lartë tek pjesëmarrësit të cilet në menyrë aktive kanë debatuar për zgjidhjen e qështjeve dilemave të sigurisë për Kosovën.

Qëllimi i Modulit për Siguri dhe Sundim të Ligjit është ofrimi i një programi të veçantë të shkollimit jo-formal mbi çështjet e zhvillimit dhe reformimit të sektorit të sigurisë në Kosovë. Ky modul fokusohet në procese më specifike në kontekst të fushës së gjerë të sigurisë dhe sundimit të ligjit duke trajtuar në veçanti segmente me rëndësi të veçantë në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian (BE).

Ky modul mbështetet nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS).