19/10/2017
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, ka organizuar sot, më 19 Tetor 2017, tryezën e rrumbullakët mbi implementimin e “Strategjisë Nacionale dhe Planit të Veprimit në Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që shpije në Terrorizëm 2015-2020” ku u diskutua për parandalimin e ekstremizmit politik dhe atij religjioz në Komunën e Mitrovicës.
Ky aktivitet mblodhi përfaqësues nga niveli lokal i Mitrovicës Veriore dhe Jugore, shoqëria civile, media dhe përfaqësues të misioneve ndërkombëtare.
Të ftuar në panel ishin:
Z. Besim Beka – Përfaqësues nga Mitrovica e Jugut
Z. Veroljub Petronic – Përfaqësues nga Mitrovica e Veriut
Z. Fitim Zahiti– Përfaqësues nga stacioni policor në Jug
Z.Burim Veliu– Përfaqësues nga Bashkësia Islame e Kosovës
Z. Aleksandar Djikic – Përfaqësues i Shoqërisë Civile
Z. Skender Perteshi - QKSS
Qëllimi i këtij aktiviteti ishte të diskutohet mbi angazhimin e deri tanishëm të nivelit lokal, shoqërisë civile dhe akterëve tjerë në Mitrovicë rreth parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm në këtë komunë dhe sfidat me të cilat përballen qytetarët e të dyja komuniteteve në Mitrovicë.
Diskutimi pati theks të veçantë në temat:
• Bashkëpunimi i aktorëve shtetërorë dhe jo shtetërorë në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm;
• Faktorët socio-ekonomik si element kyq në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm;
• Të arriturat dhe sfidat në parandalim të ekstremizmit të dhunshëm në Komunën e Mitrovicës;
• Bashkëpunimi i pjesës Jugore dhe asaj Veriore në shërbim të parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm;
• Nevoja për bashkëpunim më të madh me organizatat e shoqërisë civile të komunitetit serb.
Z.Skender Perteshi prezantoj të arriturat e QKSS në luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe kontributin e organizatës në hartimin e Strategjisë Nacionale dhe tregoi gatishmërinë e QKSS për bashkëpunim me nivelin lokal për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.
Përfaqësuesi nga Mitrovica Jugore, Z. Besim Beka, tregoi rreth të arriturave dhe sfidave të komunës në raport me fenomenin e ekstremizmit të dhunshëm dhe theksoi nevojën për bashkëpunim të vazhdueshëm të të gjithë akterëve.
Z. Veroljub Petronic nga Mitrovica Veriore vlerëson se është e nevojshme që komuniteti serb të përfshihet në monitorimin e zbatimit të Strategjisë Nacionale dhe Planit të Veprimit në Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që shpijë në Terrorizëm 2015-2020. Z. Petronic thekson se OJQ-të që veprojnë në veri të vendit duhet të jenë të përfshira në më shumë aktivitete, sidomos ato të nivelit lokal për shkak se kanë kapacitet të mjaftueshëm për të kontribuar në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm në nivelin lokal.
Ky aktivitet është organizuar në kuadër të projektit tre-vjeçar “Mbështetje e mëtejshme Institucioneve të Kosovës në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe ekstremizmit të dhunshëm” I cili implementohet nga B&S Europe me mbikëqyrje nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës dhe financohet nga Instrumenti për ndihmë Para-anëtarësuese (IPA) si pjesë e Komisionit Evropian. Qendra Kosovare për Studime të Sigurise (QKSS) është nën-kontraktor i B&S Europe, dhe është përgjegjëse për implementimin e komponentës 4 të këtij projektit që merret specifikisht me mbështetjen e institucioneve qendrore dhe locale të Kosovës në implementimin e strategjisë së lartëpëmendur.