21/11/2015
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) më 19 Nëntor 2015, ka organizuar konferencën ku janë publikuar dy hulumtime që kanë për fokus Analizimin e shkaqeve, pasojave të migrimit të parregullt dhe Ndikimin në procesin e integrimit për Kosovën, gjegjësisht, në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Sipas hulumtimit të QKSS-së, shkaqet socio-ekonomike renditën ndër faktorët e parë që kanë shtyrë qytetarët të migrojnë në BE. Vendi përballet me shkallë të lartë të papunësisë, veçanërisht tek të rinjtë, ku 35.4 përqind e qytetarëve e forcës aktive për punë janë të papunë, ndërsa kjo është më së shumti e shprehur te gjeneratat e reja, gjegjësisht 61 përqind e të rinjve janë të papunë.
Faktori i dytë që ka ndikur në rritjen masive të numrit të azilkërkuesve ka ardhur si rezultat i rrjeteve kriminale të kontrbanduesve që operonin në Kosovë dhe Serbi, që kontrabandonin migrantët kosovarë përmes Serbisë drejt BE-së. Edhe mungesa e bashkëpunimit ndërmjet Policisë së Kosovës me atë të Serbisë. Gjatë periudhës kritike të migrimit masiv të kosovarëve, është vënë në pah se institucionet e Serbisë nuk kanë qenë të gatshme të bashkëpunojnë me ato të Kosovës për parandalimin e migrimti të parregullt dhe migrimit ilegal.
Duke u ballafaquar me një rrjedhë masive migrimi dhe aplikimesh për azil, shtetet anëtare të BE-së, në veçanti Gjermania, Austria e Hungaria, u përgjigjën praktikisht “me zero për qind” normë miratimi për kosovarët. Vendimi për kthimin e azilkërkuesve nga Kosova u mor në bazë të vendimit se Kosova konsiderohet vend i sigurtë origjine dhe se qytetarët mund të kthehen të sigurtënga gjithsej 12,780 vendime, pra afro 99%, ose 12.605 ishin negative. Prandaj, këta qytetarë do të deportohen (kryesisht mbi baza vullnetare) me sanksione dhe ndalim rihyrjeje në gjithë zonën Shengen. Si pasojë e kësaj, ritmi i përgjigjeve ndaj numrit të kërkesave për azil nga Kosova është shumë i shpejtë, prandaj ky departament ka procesuar rreth 14.000 raste deri tani.
Në këtë konferencë, QKSS ka dalur me disa rekomandime për Qeverinë e Kosovës, Departamentin për Shtetësi, Azil dhe Migracion të MPB-së dhe Komisionin Evropian.
Për Qeverinë e Kosovës
• Duhet të ketë përpjekje të përbashkëta nga Qeveria e Kosovës dhe Zyra e BE-së në Kosovë për të zhvilluar një strategji të qartë për ofrimin dhe shpërndarjen e informacionit të saktë lidhur me rregullat e hyrjes në zonën Shengen, si dhe përgjegjësitë e regjimit pa viza.
• Qeveria e vendit duhet të foksuohet në reforma ekonomike për zvogëlimin e e papunësisë dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Për Departamentin për Shtetësi, Azil dhe Migracion të MPB-së
• Rritja e kapaciteteve teknike e njerëzore për menaxhimin efektiv dhe monitorimin e procesit të ripranimit, përmirësimi i bashkëpunimit dhe koordinimit për ripranim ndërmjet autoriteteve të ndryshme. Kjo do të garantojë përgjigje efektive ndaj kërkesave për ripranim prej të gjitha Shteteve Anëtare të BE-së.
Për Komisionin Evropian
• Regjimi pa viza do të sigurojë një rrugë për dalje nga migrimi i parregullt. Përqendrimi te migrimi i parregullt po zhvendos vëmendjen nga përfitimet që qytetarë të tjerë – kryesisht punëtorë të aftë dhe udhëtarë - do ta gëzojnë në rast të regjimit pa viza.
• Mundësitë e migracionit të ligjshëm në vendet e BE. Qeveria e Kosovës duhet të bashkëpunojë me organizatat ndërkombëtare, veçmas me programet e udhëhequra nga vendet e BE-së si GIZ - DIMAK, i përfshirë aktivisht në gjetjen e zgjidhjeve ligjore për ata që synojnë të punojnë në zonën Shengen të BE-së, kryesisht në baza sezonale. Opsionet e migrimit të ligjshëm përfaqësojnë alternativë të mirë për migrimin e parregullt. Programet e punësimit sezonal mund të jetë zgjidhje për punësim që dëshpërimisht i duhen Kosovës.