Mentor Vrajolli mori pjesë në Dialogët Globalë për Politikat Kibernetike: Ballkani Perëndimor

22/10/2025

Mentor Vrajolli mori pjesë në Dialogët Globalë për Politikat Kibernetike: Ballkani Perëndimor

Mentor Vrajolli, Drejtor Ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), mori pjesë në Dialogun Rajonal për Sigurinë Kibernetike të mbajtur në Tiranë, Shqipëri, më 16–17 tetor 2025. Ky aktivitet, i titulluar “Dialogët Globalë për Politikat Kibernetike: Ballkani Perëndimor”, mblodhi 50 pjesëmarrës nga qeveritë, shoqëria civile, akademia dhe sektori privat nga i gjithë Ballkani Perëndimor.

I organizuar nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike i Shqipërisë (AKSK) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Mbretërisë së Hollandës, në bashkëpunim me Observer Research Foundation America dhe Albania Sustainable Development Organization, dialogu u përqendrua në përmirësimin e bashkëpunimit rajonal në mbrojtjen kibernetike, reagimin ndaj incidenteve, diplomacinë kibernetike dhe ngritjen e kapaciteteve.

Drejtori i Përgjithshëm i AKSK-së, z. Igli Tafa, theksoi boshllëkun ekzistues në fushën e sigurisë kibernetike në Ballkanin Perëndimor, duke deklaruar: “Sfida të tilla nuk mund të përballohen të vetëm; vetëm përmes bashkëpunimit dhe ndërtimit të përbashkët të kapaciteteve mund të ecim përpara.” Ndërsa Ernst Noorman, Ambasador i Posaçëm për Çështjet e Sigurisë Kibernetike në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Hollandës, shtoi: “Siguria kibernetike kërkon përfshirjen e shumë aktorëve. Nuk është vetëm çështje qeveritare, por përfshin tërë shoqërinë. Me digjitalizimin që sjell efikasitet, sfidat bëhen gjithnjë e më komplekse. Veprimi i koordinuar dhe besimi i ndërsjellë janë thelbësorë nëse duam të ecim përpara së bashku.”

Gjatë këtij aktiviteti dyditor, Mentor Vrajolli pati mundësinë që të kontribuoj duke vënë në pah punën që QKSS ka zhvilluar gjatë dy viteve të fundit në kuadër të projektit ASCEND, pjesë e iniciativës IGNITA të financuar nga Open Society Institute for Western Balkans (OSF WB). Ai nënvizoi rëndësinë që vendet e rajonit të kenë një perspektivë për integrim gradual në mekanizmat evropianë të sigurisë kibernetike, si pjesë e procesit më të gjerë të integrimit evropian.

Vrajolli theksoi: “Ndërkohë që vendet e rajonit janë ftuar të jenë pjesë e Tregut të Vetëm Digjital Evropian, do të ishte e përshtatshme që kjo të shoqërohej me lehtësimin e një anëtarësimi gradual ose një statusi vëzhgues në mekanizmat evropianë të sigurisë kibernetike, siç është Agjencia e Bashkimit Evropian për Sigurinë Kibernetike (ENISA).” Ai përmendi procesin i cili është vijim e sipër nga BE  të ndryshimit të Aktit Evropian për Sigurinë Kibernetike si një mundësi për këtë projektuar këtë integrim, duke ju bërë thirrje edhe përfaqësuesve institucional të pranishëm që të shfrytëzojnë këtë momenum për të arritur këtë objektivë.

Pjesëmarrja e QKSS në këtë dialog rikonfirmoi përkushtimin e saj për avancimin e politikave të sigurisë kibernetike dhe bashkëpunimit rajonal, duke kontribuar me njohuri të vlefshme dhe duke avokuar për qasje gjithëpërfshirëse dhe strategjike ndaj sigurisë digjitale në Ballkanin Perëndimor.