1/03/2016
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), në bashkëpunim me Institutin SETA dhe Qendrën Daily Sabah, më 29 Shkurt 2016, në Prishtinë, kanë organizu konferencën me temë: “Mbyllja e korridorit për luftëtarët e huaj: Forcimi i bashkëpunimit Kosovë - Turqi”. Në këtë konferencë u diskutua rreth sfidave të Kosovës dhe Turqisë drejt ballafaqimit me luftëtarët e huaj, si dhe gjetjen e praktikave më të mira për adresimin e këtij fenomeni. Drejtori i QKSS-së, Dr Florian Qehaja prezantoi aktivitetet e QKSS në drejtim të luftimit dhe parandalimit të luftëtarëve të huaj, si dhe foli për rrezikun që mund të shfaqin luftëtarët e huaj, nëse këtij problemi nuk i qasemi si duhet.
Parandalimi i ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit kërkon qasje gjithëpërfshirëse, ku duhet të involvohen të gjitha institucionet e shtetit, si në nivelin lokal dhe qendror, shoqëria civile dhe komuniteti fetar në Kosovë. Poashtu, Dr Qehaja foli edhe rreth tendencave të disa grupeve të caktuara, sidomos mediave ndërkombëtare që po mundohen të rrisin problemin e ekstremizmit në Kosovë, ku flasin për shifra alarmante të qytetarëve të Kosovës të përfshirë në luftën e Sirisë dhe Irakut. Për më shumë ai theksoi se qarqe të caktuara në Kosovë po mundohen që të relativizojnë çështjen e ekstremizmit të dhunshëm në Kosovë, sipas tij duhet të ketë një qasje dhe analizë të drejtë të këtij problemi. Sipas hulumtimeve të fundit nga QKSS momentalisht janë vetëm 60-70 qytetar të Kosovës që janë prezentë në betejat e Sirisë dhe Irakut.
Burim Ramadani, ekspert i çështjeve të sigurisë theksoi se mungesa e kapaciteteve institucionale, qeverisja e brishtë, si dhe sfida e funksionalizimit të shtetit krijojnë mundësi për zhvillimin dhe përhapjen e ideologjive dhe organizatave radikale. Shteti duhet të investoj më shumë në ruajtjen e kufijve, hetimin e financimit të terrorizmit, zhvillimin e edukimit dhe mirëqenien si parametra kryesore për luftimin e ekstremizmit dhe radikalizmit.
Bilgehan Öztürk, hulumtues në Institutin SETA prezantoi rreth sfidave të Turqisë në ballafaqimin me luftëtarët e huaj, sidomos ruajtja dhe kontrolli i kufirit shtetëror ndërmjet Sirisë dhe Turqisë, ku shumica e luftëtarëve të huaj kanë udhëtuar nëpërmjet Turqisë. Përveq organizatave si ISIS dhe AL NUSRA ai theksoi se Turqia përballet edhe me grupe tjera ekstremiste sidomos ato kurde.
Yusuf İnanç nga DS Center u fokusua me shume në rolin e islamit tradicional në luftimin e ekstremizmit të dhunshëm, sidomos sfidat për rreth ndarjeve dhe dallimeve ndërmjet selefizmit, sofizmit dhe sekteve tjera fetare.
Sibel Halimi nga Universiteti i Prishtinës u fokusua në rolin e gruas në çështjet e ekstremizmit. Ajo theksoi se përveç arrestimeve dhe burgosjeve të një numri të caktuar si të dyshuar, asnjë aktivitet tjetër në drejtim të parandalimit apo deradikalizmit nuk është ndërmarrë nga ana e institucioneve shtetërore.
Ky ishte paneli i dytë i organizuar nga QKSS, SETA dhe DS Center. I njëjti panel gjatë muajit Janar 2016 është mbajtur në Stamboll.