27/10/2017
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) sot më 26 tetor 2017 ka publikuar dy raporte monitoruese dhe vlerësuese për integritetin në sektorin e sigurisë në Kosovë, përkatësisht për Policinë e Kosovës (PK) dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).
Ky është raporti i tretë monitorues dhe vlerësues i integritetit në institucionet e sigurisë në Kosovë që publikohet nga QKSS dhe mbulon periudhën një vjeçare tetor 2016 – tetor 2017.
Në këtë konferencë u diskutua për sfidat dhe prioritetet e ndërtimit të mekanizmave të integritetit në sektorin e sigurisë në Kosovë me theks të veçantë tek çështjet më të ndjeshme të integritetit në Policinë e Kosovës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Gjatë lansimit të këtij raporti u diskutuan këto çështje:
· Sfidat e integritetit në Policinë e Kosovës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës në 4 fushat kryesore të Integritetit: Prokurimi Publik, Menaxhimi i burimeve njerëzore, Auditimi i brendshëm si dhe fusha e Deklarimi i pasurisë dhe konfliktit të interesit.
· Mekanizmat e kontrollit të brenshëm.
· Transparenca e Policisë dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës përballë qytetarëve dhe publikut.
· Efikasiteti i mekanizmave për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit në Polici dhe FSK.
Në këtë konferencë morrën pjesë përfaqësues nga institucionet e Policisë, FSK-së, KFOR-it, agjencive të pavarura shtetërore, ambasadave, anëtarë të Komisionit Parlamentar për Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, përfaqësues të shoqërisë civile dhe përfaqësues të mediave.
Të gjeturat e raportit u prezantuan nga:
Plator Avdiu- Hulumtues në QKSS
Arife Muji- Hulumtuese në QKSS
Ky projekt është financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO‐K) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).