Kosova dhe Ukraina Shkëmbejnë Përvoja mbi Qëndrueshmërinë ndaj Ndikimit të Huaj Malinj dhe Kohezionin Shoqëror

21/11/2025

Kosova dhe Ukraina Shkëmbejnë Përvoja mbi Qëndrueshmërinë ndaj Ndikimit të Huaj Malinj dhe Kohezionin Shoqëror

Prishtinë, 19 tetor 2025: Ekspertë nga Kosova dhe Ukraina u takuan të martën në Prishtinë në një tryezë të tipit Chatham House për të diskutuar se si shoqëritë i bëjnë ballë presioneve të luftës, zhvendosjes dhe ndikimit të huaj malinj, si dhe si ndërtojnë qëndrueshmëri/reziliencë ndaj tyre. Diskutimi u organizua bashkërisht nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (KCSS) dhe Center for Security Studies (CENSS) nga Ukraina, në kuadër të projektit “Forcimi i Qëndrueshmërisë ndaj Kërcënimeve Hibride Ruse përmes Bashkëpunimit Rajonal: Një Nismë e Përbashkët e Organizatave Joqeveritare nga Ukraina dhe Ballkani Perëndimor,” e mbështetur nga Fondacioni i Shoqërisë së Hapur – Ballkani Perëndimor.

Tryeza mblodhi së bashku hulumtues, udhëheqës të shoqërisë civile dhe zyrtarë të qeverisë për të shqyrtuar se si kohezioni komunitar ndikon në siguri. Folësit nga Ukraina përshkruan se si pushtimi brutal dhe në shkallë të plotë rus ka ndryshuar ndjeshëm sigurinë e përditshme. Sipas analizës së tyre, qytetarët në Ukrainë tash e perceptojnë sigurinë në tre nivele të ndërlidhura: individuale, komunitare dhe kombëtare. Ata theksuan se miliona persona të zhvendosur brenda vendit, refugjatë që po kthehen, dhe më shumë se një milion veteranë po ndikojnë fort në dinamikat sociale dhe institucionale në mbarë vendin.

Ata paralajmëruan se lufta hibride—duke përfshirë sulme kibernetike, dezinformim dhe përdorimin e dronëve—është bërë pjesë e përhershme e konfliktit, jo një fazë që i paraprin luftës.

Përvoja e Ukrainës dallon nga ajo e Kosovës në një drejtim të rëndësishëm. Ndërsa Kosova vazhdon të përballet me tensione etnike që ndikojnë në besim dhe bashkëpunim, rreziqet kryesore për kohezionin në Ukrainë burojnë nga zhvendosja, qëndrimet politike dhe presionet ekonomike. Folësit theksuan se ndarjet fetare dhe etnike mbeten të kufizuara.

Pjesëmarrësit nga Kosova ndanë përvoja të rimëkëmbjes pas luftës në një shoqëri të ndarë, duke theksuar nevojën për investim të gjatë në dialog, programe për të rinjtë, restaurim kulturor dhe bashkëpunim shumëetnik. Ata argumentuan se përvoja e dy dekadave të Kosovës tregon se institucionet lokale, shoqëria civile dhe policimi në komunitet mund të ndërtojnë gradualisht besim.

Organizatat ukrainase po fokusohen në integrimin e familjeve të zhvendosura dhe veteranëve, forcimin e rrjeteve vullnetare dhe ngritjen e strukturave të reja të sigurisë në nivel komunitar. Këto përfshijnë oficerë të policisë në komunitet, oficerë të qëndrueshmërisë emergjente dhe grupe pune komunale që lidhin qytetarët, policinë dhe qeverisjen lokale.

Përfaqësuesit e Kosovës theksuan se Kosova qëndron me krenari krah Ukrainës sot dhe do të vazhdojë ta mbështesë atë gjatë luftës dhe procesit të gjatë të rindërtimit që do të vijojë. Ata vërejtën se përvoja e Kosovës—nga rivënia në funksion e qeverisjes lokale pas luftës, te integrimi i komuniteteve të zhvendosura dhe forcimi i shoqërisë civile—ofron mësime praktike që mund t’i shërbejnë Ukrainës në procesin e saj të rindërtimit dhe shtet-ndërtimit pasluftës.

Të dyja palët theksuan se kërcënimet hibride, veçanërisht dezinformimi, po bëhen sfida në rritje. Pjesëmarrësit ukrainas theksuan se Rusia tani përdor manipulim digjital dhe përmbajtje të krijuar nga inteligjenca artificiale për të minuar unitetin, madje edhe për të rekrutuar individë për veprime nënversive, ndërsa të rinjtë janë veçanërisht të cenueshëm. Ekspertët nga Kosova vunë re modele të ngjashme në Ballkanin Perëndimor.

Ngjarja u mbyll me një thirrje për bashkëpunim më të thellë Kosovë–Ukrainë në fushën e sigurisë, angazhimit komunitar, shoqërisë civile dhe reagimeve ndaj kërcënimeve hibride. Pjesëmarrësit ranë dakord se, ndonëse të dy vendet përballen me lloje të ndryshme sfidash, ato ndajnë gjithashtu disa sfida të përbashkëta: synimin për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian (BE) dhe NATO, si dhe një kuptim të qartë se Rusia paraqet kërcënimin më serioz për sigurinë dhe stabilitetin evropian.