15/01/2015
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) lansoi sot te rezultatet e Edicionit Special të Barometrit Kosovar të Sigurisë - Perceptimet e Publikut për Politikën e Jashtme dhe Dialogun me Serbinë. Ky edicion special ka për qëllim të sjell perceptimet e opinionit publik me fokus në politikën e jashtme dhe dialogut politik me Serbinë. Anketa është realizuar gjatë muajit tetor me 1101 respodentë nga mbarë territori i Republikës së Kosovës.
Rezultatet preliminare të këtij edicioni tregojnë se qytetarët e Kosovës e konsiderojnë Shqipërinë si aleatin më të madh të Kosovës me 78.8 përqind e të anketuarve, të cilët e perceptojnë atë si një vend mik dhe partner. Ndërsa këtë epitet nuk e merr Serbia, e cila u listua si vendi më armiqësor ndaj Kosovës me 89.5 përqind e të anketuarve, të cilët besojnë se qasja aktuale e Serbisë është shumë armiqësore ndaj Kosovës. Përderisa pozicionimi ndaj Shqipërisë dhe Serbisë është mjaft i qartë, ka perceptime të përziera ndaj dy vendeve të tjera fqinje të Kosovës, përkatësisht, Malit të Zi dhe Maqedonisë. Pothuajse gjysma e të anketuarve vlerësuan këto vende si neutrale ndaj Kosovës me rreth 45.0 përqind.
Respodentët janë pyetur edhe lidhur me qasjen e shteteve ndërkombëtare ndaj Kosovës dhe ata vlerësuan Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermaninë si vendet më miqësore ndaj Kosovës, me mbi 85.0 përqind e pasuar nga, Mbretëria e Bashkuar, Turqia dhe Franca janë renditur pothuajse në mënyrë të barabartë me mbi 60.0 përqind. Ndërsa opinioni ndaj shteteve si: Rusia dhe Kina nuk duket të jenë shumë të popullarizuara në mesin e qytetarëve të Kosovës. Rusia është konsideruar si një vend armiqësor nga 85.6 përqind e të anketuarve e pasuar nga Kina me rreth 61.8 përqind. Të dy këto shtete shihen si vende që pengojnë Kosovën më së shumti në procesin e integrimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Respodentët janë pyetur edhe rreth opinionit të tyre ndaj organizatave ndërkombëtare, rezultatet tregojnë se NATO vazhdon të konsiderohet miqësore për qytetarët e Kosovës me 85.7 përqind. Trende të ngjashme optimiste përcjellin BE-në ku qytetarët e Kosovës vazhdojnë të shohin BE-në si mike ndaj Kosovës me 61.8 përqind, e pasuar nga OKB-ja me 53.6 përqind. Në këtë drejtim, rreth 90.0 përqind e respodentëve janë përgjigjur pozitivisht për anëtarësim në BE duke treguar një nivel të lartë entuziazmi në këtë drejtim.
Gjetjet e këtij hulumtimi tregojnë se kur është fjala për dialogun me Serbinë, opinioni publik ndihet si para një akti të pakthyeshëm politik. Si pasojë, 58.2 përqind e tyre e mbështesin dialogun dhe 38.1 përqind nuk e përkrahin këtë proces.
Risia e këtij edicioni të BKS-së është se ka tendencë që të bëjë një analizë të thellë të perceptimeve lidhur me dialogun. Nga ky studim rezultoi se 28.7 përqind e respodentëve besojnë se dialogu do të duhej të ndodhë vetëm nëse Serbia ndryshon qasjen e saj ndaj Kosovës, ndërsa 11.4 përqind e respodentëve e përkrahin dialogun me kusht që të bëhet implementimi i marrëveshjeve të arritura deri më tani në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Në pyetjen se a ka kontribuar dialogu në normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, 48.8 përqind e respondentëve mendojnë që situata ka vazhduar të mbetet e njëjtë. Ky është grupi dominant që është më pesimist lidhur me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve në përgjithësi. Në përgjithësi, gjetjet tregojnë se edhe qëndrimi i përgjithshëm ndaj themelimit të Asociacionit të Komunave Serbe qëndron negativ nga 68.6 përqind të respodentëve. Qëndrim negativ është shfaqur edhe rreth krijimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës në pjesën veriore të Kosovës. 65.95 përqind mendojnë që kjo marrëveshje s’ka qenë aspak e nevojshme. Qytetarët kishin mendim afërsisht të njëjtë lidhur me shpërbërjen e strukturave serbe të sigurisë në Kosovë ku 62.2 përqind e respodentëve, mendojnë që marrëveshja në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk ka rezultuar me shpërbërjen e strukturave serbe të sigurisë në Kosovë dhe se ato struktura ende janë duke funksionuar në komunat me shumicë serbe.
Ky projekt mbëshetet nga Fondacioni Amerikan National Endowment for Democracy (NED).