Përballja me rrymat autoritare në Ballkanin Perëndimor

1/10/2021

Përballja me rrymat autoritare në Ballkanin Perëndimor

Sbunker dhe Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) pritën një grup përfaqësuesish nga OJQ-te hulumtuese nga vendet e Ballkanit Perëndimor, studiues, si dhe zyrtarë të lartë të qeverisë për të diskutuar mbi rrymat autoritare në Ballkanin Perëndimor; influencën e huaj dhe hapësirën publike. Konferenca rajonale u organizua me mbështetjen e National Endowment for Democracy (NED) dhe Fondit të Vëllezërve Rockefeller (RBF).

Qëllimi i konferencës ishte të nxiste një bisedë më të thellë mbi sfidat për ndërtimin e një demokracie liberale të qëndrueshme dhe hartimin e një axhende kërkimore për të ardhmen e afërt. Konferenca theksoi nevojën që shoqëria civile të zhvillojë kapacitetet për të monitoruar ndikimin e huaj, dhe që organizatat joqeveritare të avancojnë përpjekjet e tyre lehtësuese për bashkëpunimin ndër-rajonal.

Pjesëmarrësit diskutuan pasojat e zbehjes së perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë pasojat për mungesën e një kuadri normativ për të udhëhequr politikën dhe procesin e vendimmarrjes në zonën e rajonit.