Komunikatë për shtyp: Koha për avancimin e marrëdhënieve Kosovë-NATO

10/03/2025

Komunikatë për shtyp: Koha për avancimin e marrëdhënieve Kosovë-NATO

Më 10 mars 2025, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) publikoi studimin më të fundit mbi temën e avancimit të marrëdhënieve Kosovë-NATO. Publikimi i titulluar “Eksplorimi i opsioneve për avancimin e marrëdhënieve Kosovë-NATO” vjen në një kohë të pasigurisë dhe paparashikueshmërisë gjeopolitike. Tre vjet që nga pushtimi i plotë rus ndaj Ukrainës, implikimet e kësaj lufte vazhdojnë të prekin jo vetëm Ukrainën që është në vijën e parë të frontit, por edhe kontinentin më të gjerë evropian. Ballkani Perëndimor, si një rajon me mosmarrëveshje të pazgjidhura, nuk bën përjashtim nga këto implikime. Ndërsa tre vende (Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut) në rajon janë anëtare të NATO-s, dhe Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia janë anëtare të Partneritetit për Paqe të NATO-s (PfP), Kosova është i vetmi vend që nuk është pjesë e të parës apo të dytës. Pavarësisht pranisë së KFOR-it, situata e sigurisë në Kosovë mbetet e brishtë. Prandaj, ky punim i lansuar nga QKSS bën thirrje për ngritjen e marrëdhënieve NATO-Kosovë në një nivel të avancuar.

I frymëzuar nga Studimi i Zgjerimit të NATO-s i vitit 1995, argumenti kryesor i punimit qëndron në sugjerimin e një kornize të quajtur “Bashkëpunimi i zgjeruar NATO-Kosovë” (KECI). Ramadan Ilazi, autori udhëheqës i studimit argumenton se KECI mund të miratohet bashkërisht ndërmjet Kosovës dhe NATO-s në kontekstin e Studimit të Zgjerimit të NATO-s të vitit 1995, i cili në atë kohë ishte një dokument kryesor që vendosi tonin për zgjerimin e Aleancës pas Luftës së Ftohtë, duke artikuluar pse, si dhe në çfarë kushtesh shtetet e reja mund të anëtarësohen në NATO. Ndërsa Kosova përballet me një sfidë kritike për anëtarësimin për shkak të katër shteteve mosnjohëse në Aleancë, Ilazi argumenton se, ngjashëm me Studimin e Zgjerimit të NATO-s të vitit 1995, i cili "e bëri të qartë se zgjerimi nuk do të minonte natyrën mbrojtëse të Aleancës, por në fakt do të përforconte misionin e saj thelbësor duke e zgjeruar stabilitetin e një shteti të mëparshëm ndaj një anëtari të ri" mund të aplikohet në Kosovë.

Më tej, Jeta Loshaj, bashkëautore e studimit, argumenton se partneriteti mund të avansohet pavarësisht bllokadës që mund të ekzistojë nga shtetet mosnjohëse për shkak të kontekstit aktual gjeopolitik. Për shembull, një ndryshim në dinamikën e zgjerimit të NATO-s ishte evident në rastin e anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës, të cilat më parë hezitonin të anëtarësoheshin në Aleancë, por situata me pushtimin e pajustifikuar rus të Ukrainës bëri thirrje për veprim. Duke pasur parasysh brishtësinë e sigurisë në Kosovë (një sulm terrorist në shtator 2023 dhe një tjetër në infrastrukturën e saj kritike ujore në vitin 2024), mbështetjen e lartë popullore dhe konsistente pro-NATO-s në Kosovë, si dhe gatishmërinë dhe vullnetin e Strukturave të Sigurisë së Kosovës për të përafruar nga afër kapacitetet e saj me NATO-n, KECI do të ishte një rrugë e shkëlqyer për të mundësuar anëtarësimin, thekson Loshaj.

Në fund, punimi nënvizon se marrëdhëniet NATO-Kosovë nuk janë të një rëndësie jetike vetëm për Kosovën. Mentor Vrajolli, Drejtor Ekzekutiv në QKSS argumenton se rruga e besueshme e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO do të ishte e dobishme edhe për Aleancën për disa arsye: do të kishte më shumë siguri që asnjë aktor i jashtëm keqdashës, qoftë Rusia apo elementë nacionalistë pro-rusë serbë brenda dhe jashtë institucioneve qeveritare, nuk do të kërkonin të destabilizonin situatën e sigurisë në vend. Së dyti, anëtarësimi i Kosovës në NATO do të zvogëlonte barrën e anëtarëve të Aleancës lidhur me investimet në KFOR. Së fundi, Kosova do të bëhej një eksportues i sigurisë brenda kornizës së aleancës, në vend që të vazhdonte vetëm të importonte burime prej saj.

Publikimi vjen me rastin e vizitës së Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte në rajon. Përderisa kjo vizitë tregon se gjendja e sigurisë në rajon, veçanërisht në Kosovë dhe në Bosnje dhe Hercegovinë, është marrë në konsideratë, ky punim argumenton se duhet të ndërmerren hapa më premtues dhe më konkretë për të reduktuar brishtësinë e situatës së sigurisë në rajon në mesin e ngjarjeve aktuale globale.

Publikimin mund ta gjeni këtu:

 Exploring options for advancing Kosovo-NATO relations