HULUMTUESJA E QKSS, SOFIJE KRYEZIU MBAJTI NJË PREZANTIM NË QENDRËN E BEOGRADIT PËR POLITIKA TË SIGURISË (BCSP)

18/03/2014

HULUMTUESJA E QKSS, SOFIJE KRYEZIU MBAJTI NJË PREZANTIM NË QENDRËN E BEOGRADIT PËR POLITIKA TË SIGURISË (BCSP)

Hulumtuesja e QKSS, Sofije Kryeziu mbajti një prezantim me temën Evropianizimi i sektorit të sigurisë në Kosovë, në konferencën e organizuar nga Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë (BCSP).

Integrimet e BE, reformimi i policisë dhe bashkëpunimi ndërkufitar ishin temat që ngritën pyetje gjatë diskutimit të mbajtur në Qendrën e Beogradit për Politika të Sigurisë më 13 mars 2014. " Një nga kritret për anëtarësim në BE janë marrëdhëniet e mira me fqinjët. Një shembull i mirë për Serbinë dhe Kosovën është bashkëpunimi policor. Ka takime të rregullta javore dhe mujore në mes të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, Policisë së Kosovës dhe përfaqësuesve të EULEX-it. Këto takime janë mbajtur në Rashkë dhe Mitrovicë", tha hulumtuesi nga BCSP Bojan Elek.

Duke folur para 30 pjesëmarrësve të interesuar në bashkëpunim rajonal dhe integrime evropiane, Elek gjithashtu vuri në dukje se në vitin 2013, Serbia, Shqipëria dhe Kosova kryen veprimin e parë të përbashkët policor në bashkëpunim me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, me qëllim të kërkimit të makinave të vjedhura në BE.

Rëndësia e reformës policore u theksua nga Foto Duro nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) në Tiranë. Ai tha se reformat kanë kontribuar në depolitizimit dhe profesionalizimin e policisë shqiptare. Duro ka thënë se më shumë se 800 oficerë të policisë në Shqipëri janë larguar pasi qe kanë qenë të përfshirë në korrupsion.

Korrupsioni është një nga problemet më të mëdha edhe në Kosovë. Sofije Kryeziu nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), në Prishtinë, tha se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar vazhdon të jetë një nga sfidat më të mëdha të sistemit të drejtësisë në Kosovë. Duke folur për policinë e Kosovës, ajo tha se njerëzit në Kosovë janë më pak të kënaqur me punën e Policisë së Kosovës (43%) në krahasim me Forcën e Sigurisë së Kosovës (67%), zjarrfikësit (65 %) dhe KFOR-in (62%) .

Opinioni publik në lidhje me integrimin në BE

Diskutimet e mbajtura në bibliotekën BCSP-së mblodhën 30 pjesëmarrës nga institucionet shtetërore, ambasadat, shoqëria civile dhe media.

Mbështetja për anëtarësimin në BE është më e larta në Shqipëri, e fortë në Kosovë dhe në rritje në Serbi.

"Rreth 90% e popullsisë shqiptare janë pro integrimit në BE. Të gjitha partitë politike e shohin BE-në në rendin e tyre të ditës dhe atë programor. Në Shqipëri nuk ka alternativë për anëtarësimin në BE . Pyetja nuk është nëse, ajo është kur", tha Duro nga IDM.

Kryeziu prezantoi gjetjet e opinionit publik nga hulumtimi i QKSS. "70% e qytetarëve të Kosovës e perceptojnë BE si institucion miqësor. Nga ana tjetër, vetëm një e treta e të anketuarve është e kënaqur me punën e EULEX-it, arsye potenciale për këtë ndër tjerash është edhe komunikimi i kufizuar i qytetarëve me EULEX - in ku, 93 % e qytetarëve nuk kishte fare kontakt me këtë institucion", ka thënë Kryeziu.

Elek deklaroi që sondazhi i BCSP për opinionin publik në fund të vitit 2013 tregon se 56 % e njerëzve në Serbi mbështesin anëtarësimin në BE. Në anën tjetër, njerëzit besojnë se niveli i korrupsionit do të jetë më i ulët dhe situata ekonomike do të jetë më mirë në rast të integrimit në BE. Elek gjithashtu theksoi se një përqindje e konsiderueshme e qytetarëve e shohin Rusinë si alternativë e bashkimit me BE, dhe disa prej tyre mendojnë se do të ishte mirë që Serbia të mbet neutrale ose vetëm të bashkohet në Zonën Ekonomike Evropiane.

Kjo ngjarje është pjesë e projektit "Forumi Hulumtues i Sigurisë Beograd - Prishtinë - Tiranë", i realizuar nga tre institute të pavarura: BCSP, QKSS dhe IDM, me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë. Ky projekt ka për qëllim të nxisë debat të balancuar në mes të komuniteteve të think- tank, akademisë, politikave publike dhe mediave, për të ofruar zgjidhje alternative hulumtuese në bazë të sfidave të vazhdueshme të bashkëpunimit ndërmjet Serbisë, Kosovës dhe Shqipërisë.