20/06/2016
Hulumtuesja e Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), Donika Emini ka marrë pjesë në takimin katër ditor të Forumit Antikorrupsion për Ballkanin Perëndimor, organizuar nga Akademia Evropiane për Diplomaci dhe Fondi i Beogradit për Ekselencë Politike, e që është mbajtur në Beograd.
Forumi Antikorrupsion për Ballkanin Perëndimor si projekt do të fokusohet në ndarjen e përvojave të vendeve të Vishegradit "në luftën kundër korrupsionit në vendet e Ballkanit Perëndimor (Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni, Mali të zi dhe Serbi). Objektivat e programit përfshijnë identifikimin e boshllëqeve në luftimin e korrupsionit në Ballkanin Perëndimor, duke ndarë përvojat e vendeve të Vishegradit, dhe pajisjen e pjesëmarrësve të zgjedhur me shkathtësi dhe njohuri të nevojshme për përmirësimin e masave antikorrupsion në vendet e tyre.
Projekti është i ndarë në tre seminare. Pjesa e parë e seminarit përfshin takimin në Beograd që ka pasur për qëllim diskutimin mbi përmirësimin e masave antikorrupsion dhe ngritjen e vetëdijes shoqërore. Punëtoria e dytë do të zhvillohet në Varshavë të Polonisë ku pjesëmarrësit e përfshirë në menaxhimin e organeve antikorrupsion do të vizitojnë institucionet e suksesshme polake në luftën kundër korrupsionit në periudhën pas tranzicionit në Poloni. Pjesa e tretë dhe e fundit e projektit do të jetë e fokusuar në organizimin e gjashtë takimeve të hapura në gjashtë qytete të Ballkanit. Takimet do të mbahen nga 21 shtatori deri më 31 dhjetor 2016.
Programi është organizuar me mbështetjen e Këshillit të Evropës dhe Fondit Ndërkombëtar të Vishegradit.