EKSTREMIZMI I DHUNSHËM NË KOSOVË- GRATË PJESËMARRËSE APO VIKTIMA?

15/09/2015

EKSTREMIZMI I DHUNSHËM NË KOSOVË- GRATË PJESËMARRËSE APO VIKTIMA?

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë/Përfaqësuesi Special i BE-së, me 15 shtator 2015 në kuadër të projektit: “Rrëfimi i dy qyteteve, Radikalizmi dhe Kundërnarrativi në Vushtrri dhe Mitrovicë”, kanë organizuar tryezë të rrumbullakët në Mitrovicë me temën: “Ekstremizmi i dhunshëm në Kosovë- gratë pjesëmarrëse apo viktima?”.

Gjatë kësaj tryeze kushtuar luftës kundër radikalizmit fetar që u mbajt në Mitrovicë. u theksua se institucionet vendore dhe shoqëria civile duhet të bëjnë më shumë në rehabilitimin dhe re-integrimin e grave kosovare të cilat kthehen nga luftërat prej Sirisë dhe Irak.

Diskutuesit në tryezë u shprehën kundër çdo lloji të diskriminimit të grave të cilat kthehen nga këto vatra të luftës.

Skender Perteshi nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë tha: “Nevojitet që strategjia e qeverisë të jetë sa më gjithëpërfshirëse për t’u ofruar ndihmë sidomos grave dhe fëmijëve që kthehen ngase të dhënat tregojnë se pjesëtarët e ISIS nga Kosova janë ndër të vetmit që marrin edhe familjet me vete në vatrat e luftimeve,madje edhe fëmijët”.

Besa Ismaili nga Qendra Kosovare për Dialog tha se gratë kosovare që kthehen nga luftërat në Siri dhe Irak janë të varfra, të paarsimuara, të paragjykuara, të diskriminuara dhe të izoluara. Si rezultat këto gra  nuk kanë asnjë mekanizëm që mund të jetë zëri i tyre”.

Imami i Mitrovicës Ekrem Avdiu, tha se gratë kosovarë ato që janë aktualisht në Siri dhe ato që janë kthyer  janë viktima e jo pjesëmarrëse . “Margjinalizimi i pjesës fetare të shoqërisë bën që të zgjedhën forma radikale që ushqejnë islamofobinë e që janë goditëse për komunitetin fetar mysliman. Nuk po bëhet dallim nga praktikuesi i fesë dhe ekstremisti”.

Arbana Xharra, kryeredaktore e gazetës “Zëri” tha se shtetit i mungojnë programet institucionale  për t’u marrë me gratë që janë të përfshira në luftën e  ISIS-it.”Mendoj që është koha për një narrativ ndryshe.  Duhet t’i ndërrojmë imamët aty ku ka pasur shtrirje të kësaj ideologjie sepse nevojitet që të ketë imamë që ligjërojnë ndryshe nëpër disa xhami”.

Ndërsa Shqipe Mjekiqi nga MPB tregoi rreth progresit të  bërë nga institucionet shtetërore në hartimin e strategjisë për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm në Kosovë tha se  në , “Grupin Punues për hartimin e Strategjisë për Parandalim të Ekstremizmit të Dhunshem  në Kosovë, jemi pajtuar që roli i grave në parandalim të ekstremizmit është tejët i rëndesishëm, duke konsideruar se femrat edhe shkenctarisht janë më pak të prirura për konflikte, prandaj strategjia duhet të reflektoje këtë”.

Ky aktivitet është pjesë e projektit të mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë/ Përfaqësuesit Special të BE-së: “Rrëfimi i dy qyteteve: Radikalizmi dhe Kundërpërgjigja  në Vushtrri dhe Mitrovicë”, qëllimi i të cilit është rritja e aktivizmit dhe vetëdijesimit qytetar në parandalimin e përhapjes së ekstremizmit, si dhe kontributi në  kundërpërgjigjen ndaj përhapjes së propagandës së grupeve ekstremiste në Kosovë.