Diskutim online - Fuqizimi i rolit të gruas si lidere të komunitetit

1/05/2020

Diskutim online - Fuqizimi i rolit të gruas si lidere të komunitetit

Duke i respektuar masat parandaluese ndaj Covid-19, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë ka filluar me implementimin e aktiviteteve online. Dje, me datën 30 Prill 2020, QKSS zhvilloi një diskutim me vajzat e gratë e komunës së Mitrovicës në kuadër të Forumit të Gruas për Siguri.

Gjatë diskutimit u theksua nevoja për angazhim më të gjerë të vajzave dhe grave në tema që lidhen me siguri. Për më tepër, u diskutua mbi rëndësinë e përfshirjes më të madhe në tema të ndryshme si dialogu Kosovë-Serbi dhe u theksua roli i grave në zhvillimin e mëtutjeshëm të marëdhënieve ndër-etnike në Kosovë. Pjesëmarrëset në diskutim shprehen shqetësimet e tyre për rritjen e rasteve të dhunës në familje në kohën e pandemisë dhe mungesën e reagimit efektiv të institucioneve karshi këtij fenomeni. Në këtë aspekt, u bë thirrje për institucionet përkatëse që të sigurojnë mbrojtje adekuate për viktimat e dhunës në familje gjatë gjithë procesit të adresimit të rasteve të dhunës në familje dhe të sigurohet një proces i sigurtë i raportimit të këtyre rasteve.

Përmes këtyre aktiviteteve synohet fuqizimi i rolit të gruas si lidere të komunitetit, avokimi për adresimin e shqetësimeve dhe pakënaqësive të tyre në sektorin e sigurisë dhe promovimin e rolit aktiv të gruas në parandalimin e konfliktit, dhunës dhe ekstremizmit të dhunshëm, pa dallim ideologjie apo etnie.

Forumi i Gruas për Siguri implementohet në kuadër të projektit “Ndërtimi i Qëndrueshmërisë:Komunitetet kundër Ekstremizmit të Dhunshëm” dhe është i përkrahur nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Kosovë.