Diskutim në panel: Si mund ta rrisim bashkëpunimin dhe mirëkuptimin ndëretnik në Kosovë?

25/10/2024

Diskutim në panel: Si mund ta rrisim bashkëpunimin dhe mirëkuptimin ndëretnik në Kosovë?

Prishtinë, 24 tetor, 2024

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) organizoi një panel diskutimi me temën “Si mund ta rrisim bashkëpunimin dhe mirëkuptimin ndëretnik në Kosovë?” si pjesë e një projekti të mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED). Qëllimi i diskutimit ishte të shqyrtohej se si qeveria dhe shoqëria civile mund të bashkëpunojnë në mënyrë më efektive për të promovuar bashkëpunimin ndëretnik dhe ndërtimin e paqes në Kosovë.

Panelistë ishin z. Mentor Vrajolli, Drejtor Ekzekutiv në QKSS, znj. Elizabeth Gowing, Këshilltare për Çështje të Komuniteteve në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, z. Leutrim Ajeti, Nënkryetari i Komunës së Graçanicës, z. Miodrag Marinkovic, Drejtor Ekzekutiv në OJQ Casa, dhe znj. Marigona Shabiu, Drejtoreshë Ekzekutive në YIHR Kosovë. Ky konsorcium i panelistëve ofroi një gamë të larmishme të perspektivave për temën e caktuar duke ofruar njohuri profesionale dhe personale për sukseset, sfidat dhe mundësitë për përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike në Kosovë, duke kërkuar llogaridhënie dhe transparencë nga institucionet publike.

Disa nga gjetjet kryesore të diskutimit ishin:

- Ka pasur iniciativa konkrete të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës për përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike, si p.sh. ofrimi i mundësive të punësimit për të rinjtë nga disa komuna. Megjithatë, ekziston nevoja për të promovuar këto iniciativa në mënyrë më efektive.

- Në nivelin lokal, veçanërisht në Komunën e Graçanicës, adresimi i problemeve të qytetarëve shpesh është më i realizueshëm kur të gjitha palët bashkëpunojnë përtej kornizës politike.

- Përfaqësuesit e shoqërisë civile ofruan një perspektivë pak më ndryshe, duke theksuar se ka shumë çështje që ende duhet të adresohen, veçanërisht për serbët e Kosovës në pjesën veriore të vendit. Megjithatë, shoqëria civile mundëson një mjedis ku të rinjtë mund të diskutojnë çështje si ballafaqimi me të kaluarën, duke u njohur me pjesë të ndrysme të historisë, të cilat nuk kanë qenë gjithmonë pjesë e medias apo narrativës dominuese.

Ky panel diskutimi ishte ngjarja fillestare e një projekti, i cili mbështetet nga National Endowment for Democracy (NED), dhe i titulluar “Promovimi i Transparencës dhe Përgjegjshmërisë së Qeverisë në Dialogun Ndëretnik”. Ky projekt do të zbatohet gjatë gjithë vitit 2024/2025 dhe ka për qëllim të ofrojë një pasqyrë të thellë dhe gjithëpërfshirëse të gjendjes së marrëdhënieve ndëretnike në Kosovë me synimin përfundimtar të sugjerojë rrugën përpara për një dialog të qëndrueshëm, gjithëpërfshirës dhe të hapur ndërmjet komuniteteve ndëretnike, institucioneve qeveritare, si dhe shoqërinë civile në Kosovë.