25/02/2020
Hulumtuesit e Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Donika Marku dhe Plator Avdiu morën pjesë në konferencën" Dialogu Kosovë - Serbi: A i dëgjojnë politikanët qytetarët?" mbajtur më 24 shkurt 2020, në Beograd. Donika Marku prezantoi gjetjet e hulumtimit të QKSS-se si pjesë e Grupit per Avokim të Politikës Kosovë-Serbi, lidhur me mendimin e qytetarëve kundrejt marrëveshjeve teknike të arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë , sa janë të informuar ata dhe si ndikojnë këto marrëveshje në jetën e tyre të përditshme. Këto perceptime janë mbledhur përmes dhjetë grupeve diskutuese në komunat e Prishtinës, Prizrenit, Mitrovicës, Pejës dhe Gjilanit me të anketuar të grupmoshave 18 deri 35 dhe mbi 35 vjeç.
Hulumtuesi nga QKSS, Plator Avdiu, ishte pjesë e panelit të tretë me temën: "Pikëpamjet e qytetarëve për vazhdimin e dialogut dhe zgjidhjet e mundshme të marrëdhënieve Beograd- Prishtinë", ku ai prezantoi dhe diskutoi mbi gjetjet e Barometrit Kosovar të Sigurisë (BKS) - Edicioni Special mbi Dialogun Kosovë-Serbi. Gjatë kësaj konference, u shtjelluan gjetjet e BKS në lidhje me rreziqet për sigurinë kombëtare, dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tarifat doganore të Kosovës për Serbinë dhe Bosnjë Hercegovinën si dhe çfarë mendojnë të anketuarit mbi mundësinë e zbatimit të reciprocitetit të plotë të Kosovës me Serbinë.
Kjo konferencë u organizua nga Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë (BCSP) në kuadër të projektit rajonal Grupi për Politika dhe Avokim Kosovë-Serbi (KSPAG)