Anëtarë të Organizatave nga Kosova dhe Serbia Përfundojnë Punëtorinë për Paqendërtim me një Thirrje të Përbashkët Drejtuar BE-së

2/04/2025

Anëtarë të Organizatave nga Kosova dhe Serbia Përfundojnë Punëtorinë për Paqendërtim me një Thirrje të Përbashkët Drejtuar BE-së

31 mars 2025, Durrës, Shqipëri: Nga data 28 deri më 30 mars 2025, 24 anëtarë të organizatave nga Kosova dhe Serbia u mblodhën në Durrës, Shqipëri, në një punëtori për ndërtimin e paqes, me qëllim forcimin e bashkëpunimit dhe konsolidimin e rolit të shoqërisë civile në procesin e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Punëtoria bashkoi një grup të larmishëm dhe me përvojë pjesëmarrësish nga institute, organizata avokuese dhe organizata të BE-së për ndërtimin e paqes. Gjatë dy ditëve me diskutime të thelluara, pjesëmarrësit analizuan dinamikat dhe zhvillimet politike në Kosovë, Serbi, BE dhe Shtetet e Bashkuara, dhe se si këto ndryshime po ndikojnë në hapësirën qytetare dhe përpjekjet për ndërtimin e paqes midis Kosoves dhe Serbise.

Të udhëhequra nga Dr. Lulzim Peci dhe Dr. Sonja Stojanović Gajić, sesionet u përqendruan në sfidat me të cilat përballen aktorët e shoqërisë civile në një kontekst të polarizimit në rritje, ngushtimit të hapësirës qytetare dhe radikalizimit etno-politik. Pjesëmarrësit gjithashtu eksploruan opsione dhe qasje për përpjekje më të bashkërenduara në mbështetje të dialogut për normalizim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Një nga rezultatet kryesore të punëtorisë ishte dakordimi për një letër të përbashkët që do t’i dërgohet Kaja Kallas, Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë / Nënkryetares së Komisionit Evropian, Marta Kos, Komisioneres për Zgjerim, dhe Peter Sørensen, Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së për Dialogun e Normalizimit Kosovë-Serbi. Letra paraqet shqetësimet e përbashkëta, rekomandime konkrete si dhe një kërkesë për takim zyrtar me përfaqësuesit e BE-së.

Punëtoria rikonfirmoi përkushtimin e aktorëve të shoqërisë civile për të mbetur kontribuues aktivë dhe konstruktivë në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe theksoi nevojën që BE-ja të prezantojë një agjendë më ambicioze për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE, përfshirë integrimin në Tregun e Vetëm, si dhe më shumë qartësi në komunikimin dhe lehtësimin e dialogut të normalizimit, përfshirë objektivat e këtij procesi.