Drejtor Ekzekutiv
Mentor Vrajolli tashmë është Drejtor Ekzekutiv i posa-zgjedhur i QKSS, i cili ka filluar ta ushtroj këtë pozitë nga Janari 2019. Para kësaj pozite, nga viti 2011 ai ka ushtruar pozitën e Hulumtuesit të Lartë dhe të Sekretarit të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS). Ndërkohë, punën e tij si hulumtues në QKSS e ka filluar në vitin 2008.
Gjatë angazhimit të tij për më shumë se një dekadë si Hulumtues dhe Hulumtues i Lartë, Vrajolli ka qenë i angazhuar në një numër të madh të projekteve hulumtuese të QKSS-së, duke pasur rol të rëndësishëm në implementimin e tyre. Projektet në të cilat ai ka qenë i angazhuar kanë qenë të karakterit vendor, rajonal dhe më gjerë.
Kështu, që nga 2009 Vrajolli ka qenë pjesë e konsorciumit rajonal të titulluar “Fuqizimi i Kapaciteteve të Shoqërisë Civile për Vlerësimin dhe Monitorimin e Reformimit të Sektorit të Sigurisë në Balkanin Perëndimor". Që nga viti 2011 ka përfaqësuar QKSS-në në rrjetin e instituteve (think tankeve) dhe organizatave joqeveritare Evropiane me seli ne Bruksel e quajtur Zyra Ndërlidhëse për Paqe-Ruajtje (e njohur si EPLO). Që nga viti 2012 ka ushtruar funksionin e Koordinatorit e më pas të Metodologut të Programit të Barometrit Kosovar të Sigurisë të QKSS, si dhe nga viti 2016 është i angazhuar në konsorciumet e ndryshme në kuadër te skemës Horizon 2020 pjesë e të cilave është edhe QKSS ku përfshihen projektet si: PeaceBuilding.Eu (i udhëhequr nga SYNyO, Austri) dhe EUNPACK (e udhëhequr nga NUPI, Norvegji).
Gjithashtu, që nga 2018 z. Vrajolli ka përfaqësuar organizatën edhe në Resolve Network, rrjet ky i udhëhequr nga Instituti Amerikan i Paqes (USIP) e i cili mbledh organizatë të ndryshme të specializuara në fushën e parandalimit dhe luftimit të ekstremizmit të dhunshëm nga vende te ndryshme të botës e ku QKSS është anëtare që nga themelimi i saj në vitin 2015.
Si rezultat i gjitha këtyre angazhime në projekte dhe aktivitete të ndryshme hulumtuese e avokuese, Z. Vrajolli është autor dhe bashkëautor i një numri publikimesh në tema të ndryshme të sektorit të sigurisë të cilat janë lansuar në kuadër të projekteve të QKSS-së por edhe jashtë saj nëpërmjet zhurnalëve e artikujve të ndryshëm të publikuar në nivel rajonal dhe më gjerë (për më tepër shih listën e publikimeve të QKSS-së).
Ndërkohë, në kuadër të pozitës së tij si Sekretar i QKSS ai që nga 2011 ka qenë një nga shtyllat kryesore menaxheriale të QKSS. Ai ka qenë i përfshirë në procese të ndryshme organizative të QKSS që nga ngritja e fondeve, ndërtimi dhe mbarvëajtja e strukturave të brendshme programore, ndërtimin e vazhdueshëm të brendshëm rregullativ të QKSS; pjesëmarrjen në negocime të ndryshme kontraktuale në mbrojtje të interesave të QKSS si dhe aktivitete të ndryshme të nevojshme për funksionimin e përditshëm të organizatës sonë.
Përveç angazhimit primar të tij në QKSS, Z. Vrajolli kohë pas kohe angazhohet në ofrimin e shërbimeve konsulente në projekte të ndryshme të implementuara nga organizata vendore dhe ato ndërkombëtare.
Z. Vrajolli ka të përfunduara studimet në fushën e drejtësisë ndërkohë që angazhimi i tij në fushat e hulumtuese në kuadër të QKSS përfshin: Integriteti në Sektorin e Sigurisë; Reformimi Policor; Bashkëpunimi rajonal në sektorin e sigurisë; përfshirja e komuniteteve gjinore dhe atyre pakicë në sektorin e sigurisë; fuqizimi i sundimit të ligjit; temat e ndërlidhura me post-konflikt, shtet-ndërtim dhe zgjidhjen e konflikteve; e po ashtu në fushën e ngritjes së qëndrueshmërisë shoqërore, parandalimit dhe luftimit të ekstremizmit të dhunshëm.