30/05/2018
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS)
Ambasada Amerikane në Prishtinë
Skender Perteshi
Ky doracak është një përpjekje e Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) që në bashkëpunim me mediat e Kosovës të adresojë mungesën e një përmbledhje të terminologjisë dhe praktikave që kanë lindur si nevojë e një studimi dhe raportimi më të saktë dhe përmbajtësor të lidhur me fenomenin e ekstremizmit të dhunshëm në Kosovë. Në këtë doracak, QKSS-ja, me mbështetjen e Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Ambasadës amerikane në Kosovë, përmes një konsultimi të gjerë me redaksitë e lajmeve të mediave, redaktorët dhe gazetarët e korrespondentët lokalë nëpër komunat e Kosovës dhe në kryeqytet sjellë një dokument si produkt të hulumtimit dhe përvojave të gjata të hulumtuesve të saj për ta njohur dhe studiuar ekstremizmin e dhunshëm dhe prejardhjen e tij në Kosovë.
Përmes këtij dokumenti QKSS-ja synon të nisë një bashkëpunim që është treguar frytdhënës në Kosovë mes mediave, studiuesve dhe shoqërisë civile për të shtyer përpara një agjendë progresive që në qendër të përpjekjeve ka demokratizimin e sferës publike dhe nxitjen e një debati të mirëfilltë për ta informuar sa më saktë qytetarin e Kosovës.
Ndonëse u drejtohet mediave si adresë primare, doracaku është një përpjekje fillestare për ta harmonizuar njohurinë për ekstremizmin e dhunshëm dhe për të sqaruar një mori çështjesh që kanë të bëjnë me këtë dukuri. Ai u dedikohet për përdorim edhe institucioneve të Kosovës, organizatave joqeveritare, instituteve studimore, analistëve dhe komentatorëve dhe të gjithë studiuesve që kërkojnë njohuri bazike për ekstremizmin e dhunshëm.