Trendet e perceptimeve të qytetarëve për Policinë e Kosovës (2015-2018)

28/05/2018

Trendet e perceptimeve të qytetarëve për Policinë e Kosovës (2015-2018)
E PUBLIKUAR NGA

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS)

Mbështetur nga

DSP, SCO-K, KCSF

AUTORË

Plator Avdiu

Shkarko

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë vlerëson se integriteti është një nga dimensionet më të domosdoshme të qeverisjes së mirë në sektorin e sigurisë në Kosovë. Andaj, ky botim i veçantë (edicion special) i Barometrit Kosovar të Sigurisë analizon dhe zbërthen trendët e perceptimit të qytetarëve të Kosovës për integritetin në institucionin e Policisë së Kosovës përgjatë tri viteve të fundit – 2015, 2016 dhe 2017.

Ky raport është i ndarë në dy kapituj të cilët shqyrtojnë çështje të ndryshme me interes për Policinë e Kosovës, veçanërisht mendimet, bindjet dhe pikëpamjet e qytetarëve për këtë institucion.

Në kapitullin e parë janë përmbledhur është më i përgjithshëm dhe në të janë përmbledhur të gjitha perceptimet e të anketuarve për besueshmërinë në Polici. Në këtë kapitull janë kombinuar metodat kuantitative dhe kualitative për të interpretuar në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe analitike mendimet e qytetarëve për Policinë e Kosovës gjatë tri viteve të fundit (2015- 2017). Rrjedhimisht, aty janë të pasqyruara opinionet për besueshmërinë në nivel të vendit, sipas zonave të vendbanimit (zonat rurale dhe urbane), sipas rajoneve të Kosovës, sipas përkatësisë etnike të të anketuarve, sipas gjinisë dhe sipas grup-moshave (prej moshës 18 vjeç e tutje). Gjithashtu, në kuadër të kapitullit të parë është matur edhe frekuenca e kontakteve të drejtpërdrejta të të anketuarve me Policinë e Kosovës në forma të ndryshme.

Ndërkaq, kapitulli i dytë i raportit analizon çështjet e integritetit brendapërbrenda Policisë së Kosovës dhe mënyrën se si i perceptojnë të anketuarit sfidat me të cilat përballet institucioni i Policisë. Këto sfida janë: rekrutimi i kandidatëve për punësim, shkalla e përhapjes së korrupsionit në Polici dhe në sektorë të brendshëm të institucionit, parandalimi dhe luftimi i korrupsionit policor, si dhe opinionet e qytetarëve se në interes të kujt shërben Policia e Kosovës.

Përveç pjesëve të veçanta në këtë kapitull, ku në mënyrë kuantitative dhe kualitative interpretohen të dhënat e Barometrit Kosovar të Sigurisë për integritetin policor, po ashtu konstatohet gjendja aktuale dhe reflektohet monitorimi i bërë nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë në lidhje me sfidat e qeverisjes së brendshme të Policisë.

Ky raport është realizuar me përkrahjen nga projekti për Promovim të Shoqërisë Demokratike (DSP) i cili është i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K) dhe i menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Përmbajtja e këtij  raporti është përgjegjësi e QKSS-së  dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i SCO-K apo KCSF-së.