Tendencat për rrënimin e multietnicitetit - Largimet masive të pjesëtarrëve serb të forcës së sigurisë së Kosovës dhe roli i Serbisë

18/09/2018

Tendencat për rrënimin e multietnicitetit - Largimet masive të pjesëtarrëve serb të forcës së sigurisë së Kosovës dhe roli i Serbisë
E PUBLIKUAR NGA

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS)

Mbështetur nga

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS)

AUTORË

Shpat Balaj & Taulant Boshnjaku

Shkarko

Forca e Sigurisë së Kosovës(FSK) është bërë temë e debateve publike për shkak të përpjekjeve për ndryshimin e mandatit të saj. Në opinionin publik është krijuar huti për shkak se ende nuk është e qartë nëse ato debate ishin vetëm llogaritje politike, apo realisht institucionet e Kosovës në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë po marrin hapa konkret drejt transformimit të saj. 

Për të kontribuar në këtë situatë të ngatërruar janë edhe deklaratat dhe interpretimet kundërthënëse të aktorëve vendor dhe ndërkombëtarë mbi këtë çështje dhe heshtja e këtij debati për një periudhë të shkurtër. Në anën tjetër, të zhytur më thellë në këtë huti siç duket janë komuniteti serb në Kosovë.

Të ndodhur në mes dy taborëve me qëndrime të kundërta, komuniteti serb në Kosovë po vazhdon të ushqehet me pasiguri. Duke qenë nën presion të jashtëm nga Serbia në njërën anë dhe të varur nga përfaqësuesit e tyre në parlamentin e Kosovës, Lista Serbe, të cilët aktivitetin e kanë të dirigjuar nga Beogradi, komuniteti serb i integruar në institucionet e Kosovës gradualisht po detyrohet të bëjë hapa mbrapa në karrierën dhe pozitën e tyre në shoqëri.

Mungesa e besimit të këtij komuniteti karshi FSK-së, mospërkrahja e ndryshimit të mandatit të  kësaj force si dhe kërcënimet e vazhdueshme dhe sulmet direkte ndaj pjesëtarëve Serb të FSK-së, kanë shtyrë që në vitin 2018 mbi 60 pjesëtar të këtij komunitetit të largohen nga FSK. Kjo valë largimesh ka shkaktuar një debat të gjerë në Kosovë dhe Serbi, duke arritur të ketë implikime negative dhe duke rrezikuar procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes këtyre dy vendeve. Sulmet dhe kërcënimet ndaj pjesëtareve serb të FSK-së, të përkrahura nga Qeveria e Serbisë, kanë vënë në sipërfaqe mungesën e vullnetit e kësaj të fundit për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën. Këto sulme janë dënuar nga Institucionet e Kosovës, por mirëpo dështimi për të parandaluar këtë fenomen ka vënë në pah mungesën e shtrirjes së autoritetit të tyre në komunat me shumicë serbe.

Ky dokument ka për qëllim të analizojë përmbledhjen e rrjedhës së ngjarjeve që shpien deri te largimi i pjesëtarëve serb të FSK-së. Në të pasqyrohen veprimet e marra nga FSK për të siguruar integrim të qëndrueshëm të komunitetit serb në këtë institucion si dhe cilat janë objektivat për të ardhmen në këtë drejtim. Në këtë punim ofrohen disa rekomandime që synojnë t’i shërbejnë krijimit të qëndrueshmërisë në procesin e integrimit të komunitetit serb në FSK, në adresimin e të cilave është paraparë përfshirje më e gjerë e akterëve të ndryshëm.