Të zënë ngushtë: Sfidat e Kosovës në përballjen me pandeminë COVID-19

27/12/2020

Të zënë ngushtë: Sfidat e Kosovës në përballjen me pandeminë COVID-19
E PUBLIKUAR NGA

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS)

Mbështetur nga

The Balkan Trust for Democracy (BTD)

AUTORË

Teuta Avdimetaj, Shpat Balaj & Plator Avdiu

Shkarko

Ky studim ofron një pasqyrë kritike të kornizës kombëtare të Kosovës për reagim ndaj emergjencave dhe menaxhim të krizave, duke përfshirë edhe kornizën ligjore dhe strategjike për trajtimin e emergjencave, si dhe rolet e institucioneve kyçe të përfshira në planifikimin dhe kundërpërgjigjen ndaj emergjencave. Përmes kësaj qasjeje, studimi synon të qartësojë faktorët që ndikojnë në efikasitetin e reagimit institucional ndaj krizave, të cilët shkaktohen, ndër të tjera, nga mangësitë e mundshme në kornizën lirgjore, dykuptimësi në raport me rolet dhe përgjegjësitë e akterëve relevantë, çështjet e koordinimit mes institucioneve përkatëse, alokimi i pamjaftueshëm i fondeve, mungësa e trajnimeve dhe kapacitete të limituara të stafit.

Ky studim vë në pah disa nga mospërputhjet madhore në kornizën ligjore, strategjike dhe të politikave mirëpo nuk paraqet një analizë të detajuar në këtë aspekt. Pjesa e parë e këtij studimi paraqet ligjet dhe dokumentet kryesore strategjike që drejtojnë politikëbërjen gjatë situatave të lidhura me emergjencat në Kosovë. Pjesa e dytë e studimit shtjellon reagimin e Kosovës gjatë pandemisë COVID-19 duke u fokusuar në ndikimin e përhapjes së sëmundjes në dimensione të ndryshme të jetës së qytetarëve, përfshirë pasojat politike, implikimet ndaj sigurisë, si dhe efektet socio-ekonomike. Pandemia COVID-19 paraqet krizën e parë në shkallë të gjerë me të cilën janë përballur institucionet e reja të Kosovës. Edhe pse situata pandemike e COVID-19 është ende në zhvillim e sipër në Kosovë dhe më gjerë, dhe mësimet e nxjerra nga kundërpërgjigjja kritike do të jenë të shumta, prapëseprapë që në këtë fazë bien në sy një numër i gjetjeve kyçe.

Ky studim tregon se për shkak të mungesës së planifikimit, shumica e masave të marra nga qeveria nuk kanë qenë të mjaftueshme që COVID-19 të adresohet në mënyrë efektive dhe që jostabiliteti politik ka ndikuar që situata të vështirësohet edhe më tej. Në tërësi, përgjjigja e Kosovës në përballje me pandeminë vlerësohet si një kombinim i disa sukseseve në fazat më të hershme, dështime të shmangshme, dhe shumë të meta, gjë që ka krijuar konfuzion tek qytetaret dhe të lënë në mëshirën e fatit.

Kur puna për hartimin e këtij raporti ishte drejt përfundimit, qeveria Hoti ra pas vendimit të marrë nga Gjykata Kushtetuese, duke hapur kështu rrugën drejt zgjedhjeve të reja deri nga mesi i shkurtit. Gjasat janë që procesi zgjedhor t’i shpërqendrojë edhe më tej autoritetet e Kosovës nga ofrimi i një kundërpërgjigjeje efektive dhe të fokusuar ndaj pandemisë.

GJETJET KYÇE

• Në morinë e prioriteteve konkurruese të procesit të rindërtimit pas konfliktit dhe të përpjekjeve për shtetndërtim pas pavarësisë, gatishmërisë për emergjenca dhe menaxhimit të krizave i është kushtuar më pak vëmendje, përkundër faktit se ky sektor i sigurisë kërkon parashikim dhe planifikim strategjik. Të pakta janë masat e vendosura me qëllim që të parandalojnë ose adresojnë në mënyrë adekuate krizat e tilla përmes një kombinimi të mjeteve legjislative, të politikave dhe planeve operacionale. Çështja ndërlikohet edhe nga mungesa e studimeve në lidhje me gatishmërinë ndaj emergjencave dhe menaxhimin e krizave në Kosovë, duke krijuar një hendek të njohurive si në mesin e politikëbërësve ashtu dhe publikut.

• Kosova përballet me një numër risqesh që mund të shkaktojnë emergjenca në shkallë të gjerë e të kërcënojë sigurinë e qytetarëve të saj, duke vënë në provë kapacitetet institucionale për parandalimin e krizave për t’u përgatitur dhe për të reaguar ndaj tyre, por edhe kapacitetet e tyre për rimëkëmbje. Këto kërcënime mund të ndikojnë në mënyrë disproporcionale në komunitetet më të pafavorizuara, si dhe përkeqësohen nga cenueshmëritë ekzistuese, siç janë ekonomia e brishtë, kapacitetet e kufizuara të shëndetësisë publike dhe ndërtimet e paligjshme në zonat e rrezikshme.

• Edhe pse Kushtetuta e Republikës së Kosovës përmban disa dispozita në lidhje me emergjencat, kjo nuk është e mjaftueshme për ta parandaluar dykuptimësinë ligjore në praktikë, veçanërisht në aspektin e përcaktimit të rrethanave që justifikojnë ose kërkojnë deklarimin e një emergjence mbarëkombëtare apo përcaktimit të roleve institucionale për kundërpërgjigjen ndaj saj.

• Për të informuar politikëbërjen dhe për rritur vetëdijesimin e publikut në lidhje me situatat emergjente, vlerësimet e rregullta të rrezikut që mbështeten në dëshmi janë të domosdoshme, përfshirë përdorimin e sistemeve të paralajmërimit të hershëm. Vlerësimet ekzistuese të rreziqeve janë të vjetëruara apo jo mjaftueshëm gjithëpërfshirëse për të mbuluar spektrin e rreziqeve dhe kërcënimeve me të cilat përballet Kosova - për shkak të planifikimit apo prioritizimit të dobët nga ana institucionale, mungesës së resurseve dhe kapaciteteve, dhe mungesës së një strukture funksionale institucionale për koordinimin dhe realizmin e vlerësimeve të rrezikut në mënyrë periodike.

• Ligjet ekzistuese të Kosovës përmbajnë dispozita për trajtimin e emergjencave, por ende ka hendekë kur flitet për sqarimin e roleve dhe përgjegjësive të palëve kyçe të interesit në kohë krize, mbulimin e një spektri më të gjerë të situatave emergjente, forcimin e dispozitave për të drejtat e njeriut dhe liritë civile gjatë një gjendje të jashtëzakonshme, promovimin e një qasjeje më gjithpërfshirëse ndaj planifikimit të politikave dhe reagimit ndaj fatkeqësive, dhe reziliencën pas emergjencës. Po ashtu, ligjet e humbasin forcën edhe nga zbatimi i dobët.

• Shumica e dokumenteve strategjike në lidhje me gatishmërinë ndaj emergjencave dhe menaxhimin e krizave janë të skaduara apo të vjetëruara. Edhe pse që nga viti 2010 janë bërë ndryshime në legjislacion, Strategjia e Sigurisë Kombëtare, SIME dhe PRK-ja nuk janë përditësuar, dhe gjatë këtyre dhjetë viteve nuk është hartuar ndonjë dokument i ri strategjik - ligjërisht i detyrueshëm - për adresimin e situatave të lidhura me emergjencat.

• Ka mbivendosje dhe/ose dykuptimësi në lidhje me rolet dhe përgjegjësitë e akterëve relevantë dhe nuk është vendosur ndonjë proces i qartë dhe i qëndrueshëm në kohë krize;

• Kosovës i mungon qasja parandaluese si dhe ka kapacitete të kufizuara për gatishmëri; planet ekzistuese për zvogëlimin e rrezikut nga situatat emergjente, edhe pse me fushëveprim të kufizuar, nuk zbatohen plotësisht dhe, për pasojë, entitetet kyçe të përfshira në reagim nuk janë të informuara dhe të trajnuara në mënyrë adekuate për kundërpërgjigje ndaj emergjencave.

• Nuk realizohen masa me bazë komunitetin për të zvogëluar rrezikun, dhe nuk bëhen përpjekje për gatishmëri ndaj emergjencave në të cilat akterë të ndryshëm në shoqëri të përfshihen përmes një qasjeje gjithëpërfshirëse.

• Qasja e Kosovës në përballje me COVID-19 u sfidua nga mungesa e qasjes parandaluese dhe përgatitore ndaj situatave emergjente, mungesa e bazës së qartë ligjore për vendimet e qeverisë, kufizimet në resurse dhe kapacitetet e stafit, luhatjet e besimit të publikut në institucione, pretendimet për keqmenaxhim dhe diskriminim, dhe mungesa e një sistemi të qartë, transparent dhe konsistent për komunikim me publikun.

• Pandemia COVID-19 ka pasur implikime domethënëse në politikë, në sundimin e ligjit, në fushën e sigurisë, si dhe atë socio-ekonomike. Ajo e ka përkeqësuar paqëndrueshmërinë politike dhe i ka thelluar problemet socio-ekonomike, duke përfshirë edhe privimin në e komuniteteve më të pafavorizuara, siç janë gratë dhe pakicat. Ajo ka ekspozuar cenueshmëritë në sektorin e sigurisë, veçanërisht në hapësirën kibernetike - duke çuar në rritje të sulmeve  kibernetike. COVID-19 ka ndikuar në sundimin e ligjit, por më së shumti është përdorur si justifikim për mungesën e rezultateve në trajtimin e rasteve të korrupsionit dhe krimit të  organizuar, të cilat janë të lidhura me vonesat dhe pandëshkueshmërinë sistematike.

• Eksiston një mungesë informatave publike mbi proceset e poltikbërjes në institucionet  e Kosovës gjatë situatave të reagimit ndaj emergjencave dhe dhënies së ndihmave, duke përfshirë reagimin e shtetit ndaj pandemisë COVID-19.

• Niveli i ulët i besimit në institucione e ka minuar kundërpërgjigjen efektive dhe efikase ndaj pandemisë.

• Mosanëtarësimi i Kosovës në organet ndërkombëtare pengon më tej përpjekjet për një qasje më efektive ndaj situatave emergjente, çka krijon një hendek të njohurive, e bën më të vështirë qasjen në fonde, si dhe vështirëson bashkëpunimin ndërkombëtar për parandalimin dhe reagimin ndaj fatkeqësive.

• Vazhdimi i krizës politike në vend e vë në rrezik një kundërpërgjigje efektive dhe të fokusuar ndaj pandemisë.

Ky publikim është realizuar me mbështetjen e Trustit Ballkanik për Demokracinë (BTD) në kuadër të projektit"COVID-19: Gatishmëria ndaj emergjencave dhe menaxhimi i krizave në Kosovë". Opinionet e shprehura në këtë botim nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të BTD- së, Fondit Gjerman Marshal të Shteteve të Bashkuara ose partnerëve të tij.