Si i ndryshon Marrëveshja për Rrugën e Normalizimit – nëse zbatohet – marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë?

10/05/2023

Si i ndryshon Marrëveshja për Rrugën e Normalizimit – nëse zbatohet – marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë?
E PUBLIKUAR NGA

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë

Mbështetur nga

Kosovar Centre for Security Studies (KCSS)

AUTORË

Ramadan Ilazi and Adelina Hasani

Shkarko

• Marrëveshja për Rrugën e Normalizimit të Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë (APN), krijon mundësi për një gjendje të re të raporteve mes dy vendeve, madje edhe një status-quo të re. Përmes APN-së duke i pranuar simbolet shtetërore, Serbia praktikisht njeh atributet shtetërore të Kosovës, si dhe detyrimin për të respektuar integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës, dhe trajtimin e Kosovës në bazë të parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara (OKB), dhe Traktatit të Bashkimit Evropian (TEU). APN-ja gjithashtu i bën, si Kosovën ashtu edhe Serbinë përgjegjëse për ruajtjen e paqes dhe “të kontribuojnë në bashkëpunimin dhe sigurinë e frytshme rajonale në Evropë.”

• Gjendja e re e marrëdhënieve (status-quon e re), varet nga zbatimi efektiv i Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit. Pa zbatim efektiv, APN-ja do të bëhet një mjet tjetër për menaxhimin e konflikteve, në vend që të jetë instrumenti për normalizimin të qëndrueshëm të marrëdhënieve. Tendencat aktuale nuk janë optimiste për zbatimin dhe sugjerojnë që të dyja palët, veçanërisht në Serbi, janë të fokusuara në minimin e APN-së dhe ndikimit të saj;  

• Marrëveshja për Rrugën e Normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndonëse ka sjell  ndryshime të rëndësishme afirmative në marrëdhëniet Kosovë-Serbi – nëse zbatohet – ajo gjithashtu përfshin elemente që potencialisht mund të krijojnë pengesa ligjore dhe politike për qeverinë e Kosovës. APN-ja shënon për herën e parë që një qeveri e Kosovës pranon qëndrimin e Serbisë për çështjen e statusit. Preambula e APN-së përfshin fjalinë e si vijon: “[…] pa paragjykuar pozicionet e ndryshme të palëve në lidhje me çështjet themelore, përfshirë çështjet e statusit”, pra nuk përmendet opinioni këshillëdhënës i GJND-së për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Bazuar në precedentët e vendosur nga marrëveshjet/dakordimet e mëparshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut të normalizimit të lehtësuar nga BE-ja, sa herë që përdorej shprehja "pa paragjykuar statusin", përfshihej edhe referenca e opinionit këshillëdhënës të GJND-së për shpalljen e pavarësisë;

• Marrëveshja për Rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është mirëpritur nga Këshilli Evropian, i cili shënon herën e parë që 27 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) e kanë përkrahur marrëveshjen që del nga procesi i  dialogut për normalizim.  Konkluzionet e Këshillit Evropian vënë në dukje se APN vendos "marrëdhëniet midis të dyja palëve mbi një bazë të re dhe të qëndrueshme si një shans historik që duhet të shfrytëzohet nga të dyja palët" dhe nxit zbatimin e saj.  

• Me fjalë të tjera, nëse skenari optimist i njohjes së Kosovës nga pesë shtetet  dështon, atëherë Spanja dhe Qipro duhet të lëvizin drejt pozicionit aktual të Greqisë për Kosovën, deri sa vetë Greqia së bashku me Sllovakinë dhe Rumaninë, duhet të lëvizin drejt njohjes formale. Në Kosovë, ka shqetësim për pozicionin e Rumanisë, e cila shihet se gjithnjë e më shumë po largohet nga angazhimi konstruktiv me Kosovën dhe njohjen e saj dhe po i afrohet pozicionit të Spanjës.

• Roli i Bashkimit Evropian (BE) si lehtësues në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka evoluar pa dyshim në një arbitër, si rezultat i Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit (APN) dhe zbatimit të udhërrëfyesit. Kjo do të thotë se për Kosovën dhe Serbinë zbatimi i dispozitave nga APN është obligim kontraktual ndaj BE-së në kuadër të procesit të integrimit evropian. Ky aranzhim ishte i nevojshëm si rezultat i  refuzimit të Serbisë për të nënshkruar APN-në, ndonëse ajo e  ka pranuar verbalisht. Në këtë kontekst, kur asnjëra palë nuk e ka nënshkruar APN-në, roli i BE-së si arbitër është  domosdoshmëri, për të garantuar zbatimin nga të dyja vendet.

• Në Kosovë ka shënuar rënie transparenca e procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Qeveria e Kosovës e ka kufizuar raportimin e saj për dialogun e normalizimit si për publikun ashtu edhe për Kuvendin e Kosovës. Përveç kësaj, Qeveria e Kosovës ka vepruar kundër precedentëve të mëparshëm duke kërkuar pëlqimin e Kuvendit të Kosovës me rastin e pranimit të marrëveshjes së nivelit të lartë me Serbinë, siç është rasti i vitit 2013 me “Marrëveshjen e Parë për Parimet që Rregullojnë Normalizimin e Marrëdhënieve”.  

• Aneksi i zbatimit të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i dakorduar në Ohër në muajin mars, është i paqartë dhe i mungojnë masat konkrete për të siguruar zbatimin e marrëveshjes, duke përfshirë renditjen e veprimeve.