12/01/2017
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS)
QKSS
Plator Avdiu
Në vitin 2017 NATO-ja do të fillojë disa forma të bashkëpunimit me Kosovën. Kjo ishte paralajmëruar në letrën me dykuptimësi të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s drejtuar kryeministrit të Kosovës në dhjetor të vitit 2016. Në letër thuhet se zyrtarisht do të fillojë pjesëmarrja e Kosovës në disa prej programeve të NATO-s duke balancuar mandatin ekzistues të pranisë së KFOR-it/NATO-s me nevojën për pjesëmarrje graduale të Kosovës në programet e NATO-s. Me fjalë të tjera, NATO ka përcaktuar tashmë kornizën e bashkëpunimit duke mundësuar përfshirjen e Kosovës në programe të caktuara të Aleancës së NATO-s për institucionet shtetërore dhe jo-shtetërore të Kosovës duke shënuar kështu për herë të parë pjesëmarrjen e Kosovës në programet dhe instrumentet e NATO-s.
Ky raport ka për qëllim të zbërthejë kërkesat e Qeverisë së Kosovës drejtuar nivelit më të lartë politik të NATO-s dhe përgjigjen nga NATO-ja. Sidoqoftë, sfidat vazhdojnë të mbesin për shkak të refuzimit të katër vendeve anëtare të NATO-s të njohin shtetësinë e Kosovës dhe për shkak të qëndrimit neutral të NATO-s kundrejt shtetit të Kosovës. Me synimin për të kuptuar më mirë programet e NATO-s që i janë ofruar Kosovës, raporti analizon secilin prej programeve në mënyrë që audienca të kuptojë plotësisht bashkëpunimin e ardhshëm Kosovë-NATO.