Shqetësimet lidhur me Sigurinë e Grave në Kosovë

4/03/2024

Shqetësimet lidhur me Sigurinë e Grave në Kosovë
E PUBLIKUAR NGA

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë

Mbështetur nga

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë

AUTORË

Adelina Hasani, Vesa Kroçi

Shkarko

Dhuna në bazë gjinore paraqet një kërcënim të madh të sigurisë për gratë dhe vajzat në Kosovë, siç dëshmohet nga numri në rritje i dhunës në bazë gjinore dhe vrasjeve të grave në vitet e fundit. Pavarësisht rritjes së dukshme të rasteve të raportuara të dhunës në familje gjatë viteve të fundit në Kosovë, numri i rasteve të pa raportuara të dhunës në bazë gjinore mbetet i lartë për shkak të faktorëve kompleksë socio-ekonomikë që kontribuojnë në këtë fenomen. 

Besimi i grave në institucionet e sigurisë dhe drejtësisë është kritik për raportimin e dhunës në bazë gjinore. Megjithatë, butësia e sistemit gjyqësor ndaj autorëve dhe stërzgjatja e rasteve të dhunës në familje i dekurajon gratë të kërkojnë drejtësi. Ka mungesë të ndjeshmërisë dhe ekspertizës në mesin e autoriteteve të zbatimit të ligjit, veçanërisht në zonat rurale, për të trajtuar në mënyrë efektive rastet e dhunës në bazë gjinore. 

Mungesa e trashëgimisë pronësore tek gratë është një pengesë e rëndësishme për pavarësinë dhe sigurinë e tyre ekonomike. Përkundër dispozitave ligjore për të drejta të barabarta pronësore, gratë shpesh heqin dorë nga trashëgimia e tyre, duke i lënë ato me burime dhe mundësi të kufizuara kur përballen me dhunën. Kjo mungesë e autonomisë financiare i lë gratë në një situatë shqetësuese ku ato mund të ndihen të detyruara të kthehen te abuzuesit e tyre. 

Shumë gra tërheqin ankesat e tyre për dhunën në bazë gjinore për shkak të ndërhyrjeve të palëve të treta, shpesh nën presionin e familjes. Ka një tendencë në mesin e anëtarëve të familjes dhe zyrtarëve për të fajësuar gratë për raportimin e abuzimit, gjë që i dekurajon edhe më shumë ato që të kërkojnë ndihmë. Gratë që raportojnë dhunën në familje shpesh përjetojnë diskriminim të dyfishtë nga institucionet, shoqëria dhe familjet e tyre. 

Ka informacion të kufizuar për të drejtat dhe shërbimet mbështetëse të disponueshme për viktimat e dhunës në bazë gjinore në Kosovë. Mungesa e ndërgjegjësimit intensifikon ndjenjat e cenueshmërisë dhe përkeqëson ndjenjën e pafuqisë kur kërkon zgjidhje. Ka gjithashtu investime të pamjaftueshme në shërbimet mbështetëse për viktimat dhe në pasojat për autorët e veprave. 

Financimi i pamjaftueshëm dhe i paqëndrueshëm për strehimoret përbën një sfidë të rëndësishme për mbështetjen e të mbijetuarve të dhunës në familje. Pa burime adekuate, strehimoret bëjnë orvatje maksimale për të i ruajtur shërbimet thelbësore dhe për të i përmbushur kërkesat në rritje për shërbimet e tyre. Ekziston gjithashtu një mungesë e mbështetjes së qëndrueshme institucionale për viktimat, duke bërë që disa të kthehen te abuzuesit e tyre.