14/06/2021
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS)
Dr. Florian Qehaja & Dr. Ramadan Ilazi
Kanë kaluar rreth tre vite që kur institucionet e Kosovës bën hapin përpara me vendimin për të filluar procesin e tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) nga një mandat për mbrotje civile e reagim emergjent në forcë mbrojtëse. Sidoqoftë, kjo lëvizje nga udhëheqësia e Kosovës, e nxitur nga mbështetja masive e publikut, u pa me skepticizëm nga disa prej aleatëve tradicionalë të vendit, që kishin frikë se vendimi do të çonte në jostabilitet. Por, a pati vërtetë jostabilitet si rezultat i këtij vendimi? Përgjigjja e shkurtër është - jo.
Duke e parë procesin, është e qartë se pasojat që disa i kishin frikë nga tranzicioni i FSK-së në forcë mbrojtëse për Kosovën ishin të ekzagjeruara - thënë më së buti - dhe duket se vendimi ishte hiç më pak a më shumë se sa një veprim i rregullt teknokratik i institucioneve kosovare. Disa madje mund të pohojnë se në fakt procesi i tranzicionit të mandatit të FSK-së e ka ndihmuar kohezionin shoqëror në Kosovë dhe si i tillë e ka forcuar stabilitetin e vendit. Me fjalë të tjera, diskursi shqetësues për tranzicionin e FSK-së u tregua i pabazuar dhe vendimi deri më sot ka dëshmuar më shumë përfitime se sa që pritej.
GJETJET KRYESORE:
Procesi i tranzicionit të mandatit të FSK-së po ecën përpara sipas planit. Ministria e Mbrojtjes (MM) duket se po ndjekë me rigorozitet procesin e tranzicionit siç përcaktohet në Planin Gjithëpërfshirës të Tranzicionit për ndërtimin e aftësive mbrojtëse. Nuk kishte synim për ambicie të tjera ose “kërcim” nga plani fillestar;
Që nga viti 2018, FSK-ja intensifikoi përpjekjet e veta për të shërbyer si forcë ‘me qëllime të mira’, si nga brenda ashtu edhe nga jashtë. Në zhvillimin e fundit, ajo dha kontribut të prekshëm gjatë katastrofës së tërmetit në Shqipëri në nëntor 2019 dhe zbarkoi misionin e parë jashtë shtetit në Kuvajt, si pjesë e kontigjentit amerikan IOWA në mars 2021;
Tranzicioni i FSK-së nuk u shëndërrua në ndonjë përshkallëzim marrëdhëniesh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe trajektorja e zhvillimit të saj deri më tani nuk kontribuoi në narrativën destruktive në marrëdhëniet midis të dy vendeve;
Skeptikët e tranzicionit të FSK-së janë dobësuar, ndërsa ata që mbështesin mandatin e ri janë fuqizuar.
*Verzioni original i këtij hulumtimi është i përpiluar në gjuhën angleze. Ky version është përkthim nga gjuha angleze në gjuhën shqipe.